Hashim Thaçi: Doganat tërheqin investitorët e huaj

Sipas Kryeministrit, Doganat ndikojnë në nxitjen dhe rritjen ekonomike. Ai tha se dogana ka impakt të madh në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Ai tha se Dogana ka ndihmuar që të zgjerohen bizneset duke luftuar kontrabandën dhe korrupsionin.

Lajme

26/03/2014 19:49

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Doganat ndikojnë në nxitjen dhe rritjen ekonomike. Ai tha se dogana ka impakt të madh në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Hapja e vendeve të punës dhe nxitja e rritjes ekonomike janë, është misioni i ri me të cilin po përballet Kosova.

Kështu deklaroi  Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës që i bëri Doganës së Kosovës, e që sipas tij, në këtë mision të Kosovës ky institucion luan rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Kryeministri Thaçi tha se  Dogana ka ndihmuar që të zgjerohen bizneset duke luftuar kontrabandën dhe korrupsionin.

“Për çdo investitor të huaj, por edhe prodhuesit tanë vendor, që eksportojnë mallra në vendet e Bashkimit Evropian, dogana paraqet administratën e parë me të cilën ata përballen”.

 

“Prandaj, përmirësimi që keni bërë me punën tuaj i ka dhënë impakt të madh tërheqjes së investitorëve të huaj për të ardhur në Kosovë. Ardhja e tyre në Kosovë, do të përkthehet në rritje edhe më të madhe ekonomike, në rritjen e ndjeshme të punësimit për të rinjtë kosovarë”.

Thaçi premtoi se Qeveria e Kosovës do të përkrahë fuqishëm Doganën e Kosovës, gjithçka çka nevojitet.

Ndërkaq, drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se mbështetja e kryeministrit të Kosovës është motiv që të vazhdojnë me punën e tyre, raporton Kosovapress.

(Kosovapress)