Hashim Thaçi dhe udhëpërshkrimi i shkurt i një rruge të gjatë

Hashim Thaçi, është i lindur më 24 prill 1968 në Burojë të Skënderajt.  Jeton në Prishtinë, me gruan Lumnijen dhe djalin, Endritin.

Lajme

26/02/2016 23:25

Por ishte krejt i ri dhe i panjohur kur nisi bërjen e politikës në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por emri i Hashim Thaçit, nuk ishte i njohur as për shumë nga pjesëtarët e UÇK-së, të cilët megjithatë, më shumë e njihnin si komandant ‘Gjarpri’.

Sidoqoftë, angazhimet e tij në drejtim, zanafillën e kishin në kohë  kur ishte student prorektor.

Por meqë regjimi i Serbisë nuk la asgjë në Kosovë, brenda së cilës shqiptarët do të mund të organizoheshin në mënyrë normale,  në vitet e 90-ta, Thaçi kishte migruar në Zvicër.

Atje, Thaçi u bë pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, për të mos u kthyer ilegalisht në Kosovë, deri në  vitin 1998.

Ky ishte viti kur ai doli publikisht si lideri politik i UÇK-së.

Ky ishte viti kur lufta në Kosovë kishte filluar të intensifikohej, ndërkohë që faktori ndërkombëtar, përveç disa përpjekjeve jo intensive, nuk po vepronte me ngulm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Për të ndaluar luftën, Grupi i Kontaktit organizoi konferencën e Rambujesë në të cilën Thaçi u zgjodh si prijësi i delegacionit kosovar.

Ai ishte thënë se në Rambuje ishte kërcënuar e shantazhuar.

Dy javë pas kësaj konference, kosovarët në Paris nënshkruan marrëveshjen  e cila u refuzua nga pala serbe dhe kështu ish Jugosllavia ne përbërje të Serbisë e Malit të Zi, u bombardua nga forcat e NATO-s.

Pas 72 ditësh bombardimesh, në verën e vitit 1999, në Kumanovë të Maqedonisë u nënshkrua marrëveshje tekniko-ushtarake dhe ish Armata Jugosllave u detyrua të tërhiqet tërësisht nga Kosova.

Në Rambuje, delegacioni kosovar ishte dakorduar që në Kosovë të krijohej një qeveri e përkohshme, por LDK-ja e kishte refuzuar më pas, kurse Thaçi e krijoi i vetëm ekzekutivin, ndonëse kishte pak pushtet.

Në Kosovë u vendos protektorati i OKB-së me në krye Bernard Koushner, si i dërguar Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Në vend të qeverisë së përkohshme, ai krijoi Këshillin e Përkohshme Transitor deri në zgjedhjet e para të lira lokale në vitin 2000 dhe ato të përgjithshme në vitin 2002.

Por edhe pse në të dy rastet Thaçi dhe PDK-ja humbi zgjedhjet, ai krijoi koalicion me LDK-në e Ibrahim Rugovës. Kryeministër u zgjodh Bajram Rexhepi e president, Ibrahim Rugova.

Më pas u krijua Grupi i Unitetit  i cili do të merrej me bisedimet për zgjidhjen e statusit final të vendit, pasi u rekomandua se Kosova kishte përmbushur standardet e kërkuara.

Hashim Thaci pas fitores në zgjedhjet e fundit

Por me vdekjen e Rugovës në vitin 2006, dhe përçarjes së LDK-së e ndarës së saj në LDK e LDD, në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2007, PDK fitoi zgjedhjet parlamentare.

Kështu për herë të parë Hashim Thaçi do të mund të merrte vet drejtimin e vendit. Por me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, ai krijoi koalicion me LDK-në.

Vetë si kryeministër, me Jakup Krasniqin nga PDK-ja si kryetar i Kuvendit e me Fatmir Sejdiun nga LDK-ja si president, Thaçi kishte fatin të lexonte deklaratën e  pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 kur vendi shpalli mëvetësinë.

Por derisa ishte kryeministër, Thaçi fitoi edhe një sukses në betejën me Serbinë duke arritur që vendi të fitojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së vendit. Një padi të tillë e kishte bërë Serbia.

Megjithatë, një raport i Këshillit të Evropës i hartuar nga senatori Dick Marty në vitin 2010, ishte pikënisja e krijimit të Gjykatës Speciale cila tashmë vetëm ka mbetur që të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë, veriu i vendit mbeti sfidë për të dhe vendin gjatë tërë kohës deri në vitin 2011 kur një aksion i policisë së Kosovës, tentoi të kthejë rendin e ligjin në atë pjesë të territorit të shtetit.

Kjo bëri që bashkësia ndërkombëtare të veprojë më shumë në këtë drejtim dhe në fillim nisën bisedimet teknike në Bruksel e të cilat vazhduan në ato politike ndërmjet Hashim Thaçit si Kryeministër i Kosovës dhe Ivica Daçiqit të Serbisë, bisedime të cilat po vazhdojnë edhe më tej.

Por Thaçi arriti të tejkalojë këtë sfidë si dhe disa të tjera si atë të bllokadës politike të zgjedhjes së Atifete Jahjagës si presidente.

Kjo pas  dorëheqjes së ish presidentit Behegjet Pacolli i cili gjithashtu u largua për shkelje të Kushtetutës apo edhe bllokimit politik gjashtë mujor kur partitë opozitare të prira në atë kohë nga ish blloku VLAN, nuk pranonin të bënin koalicion me PDK-në.

Situata u zhbllokua kur vitin e kaluar PDK e LDK arritën marrëveshje së bashku edhe me Listën Serbe. Posti i kryetarit të Kuvendit iu la PDK-së, ai i kryeministrit LDK-së, me marrëveshje që një vit më vonë pas skadimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga, ky post t’i takojë Hashim Thaçit./Lajmi.net