Hasani: Kosova po shkon në Tokyo

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, është shprehur i entuziazmuar për suksesin e Erza Muminoviqit, e cila i solli Kosovës medaljen historike nga Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018. Xhudistja nga Peja fitoi medaljen e bronztë, në kategorinë -44 kilogramë.

Sport

08/10/2018 09:58

Presidenti Hasani theksoi se me këtë medalje u dëshmua se po shkojmë sigurt drejt Lojërave Olimpike Tokyo 2020.

“Pas Baku-s dhe RIO-s erdhi edhe medalja e radhës nga Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018. Kjo tregon se kemi vazhdimësi, kemi një bazë të mirë të sportistëve dhe trajnerëve që punojnë me ta dhe po shkojmë sigurt drejt Tokyo 2020”, u shpreh i pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë.

Ai tha se sportistët  tanë nuk do të heqin dorë asnjëherë nga ëndrra e tyre sublime, për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën.

“Ashtu siç kemi deklaruar para nisjes se do të nisemi si kampion, do të bëhemi kampion dhe do të kthehemi si kampion, në kuptimin e sjelljes së mirë, thyerjes së rezultateve të mira dhe duke treguar se sportistët tanë nuk do të heqin dorë asnjëherë nga ëndrra e tyre sublime për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi presidenti Hasani.

Të dielën garoi edhe notarja Melisa Zhdrella, e cila theu rekordin e Kosovës në disiplinën 50 metra bretkocë, derisa në renditjen e përgjithshme u pozicionua në vendin 35 nga 43 garuese.

Ekipi Olimpik i Kosovës po përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Olimpike për të rinj, katër vjet pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. /Lajmi.net/