Hasani: Korrigjimi i kufijve do ta vendoste Kosovën në pozitë të pafavorshme

Ideja që një marrëveshje e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshijë “korrigjimin e kufirit”, e cila është proklamuar nga presidentët e të dy vendeve, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit, në kuadër të Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, mund të hapë probleme të jashtëzakonshme, në rast se nuk sqarohen detajet e realizimit eventual të një ideje të tillë, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike-ndërkombëtare dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Lajme

27/08/2018 19:00

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se realizimi eventual i idesë së “korrigjimit të kufijve” do ta vendoste Kosovën në pozitë të pafavorshme, ndërkohë që do të reflektoheshin pasojat negative edhe për Ballkanin.

Një hap të tillë, sikurse “korrigjimi i kufirit”, siç thotë Hasani, do t’i prishte parametrat standarde për përcaktimin e kufijve në të drejtën ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, për faktin se nuk dihet se cili kriter do të jetë përcaktues, krahas kriterit etnik dhe do ta bëjë procesin të paparashikueshëm.

Njohja ndërkombëtare e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, siç thotë Hasani, ka ndodhur sipas standardit të identifikimit dhe caktimit të kufijve administrativ, që janë vendosur në vitin 1974, standard ky i cili është zbatuar në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë, por dhe në të gjitha ish-federatat komuniste.

“Si mund të korrigjosh kufijtë kur ende nuk ka ndodhur identifikimi i tyre, e kam fjalën për pjesën kah Serbia. Ky, do të thotë, është element që e rëndon dhe e bën më të paparashikueshëm identitetin territorial të Kosovës dhe pasojat janë jashtëzakonisht negative për Ballkanin dhe për problemet territoriale që ekzistojnë gjetiu në Evropë, gjithandej. Korrigjimi i kufijve është tërësisht i papranueshëm, sepse duhet të bëhet identifikimi, të fiksohen kufijtë, siç janë bërë me republikat tjera dhe me fqinjët tjerë të Kosovës dhe më pastaj mund të flitet për çështje të tjera”, tha Hasani.

Ai ka shtuar që në momentin e tanishëm, kur bëhet fjalë për idenë e proklamuar nga presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, shikuar në aspektin kushtetues, nuk mund të bëhet fjalë për korrigjim të kufijve, por për shkëmbim të territoreve, për faktin se ende nuk ekziston një identifikim i kufijve nga të dyja vendet. Prishja e parametrave ndërkombëtarë të përcaktimit të kufijve, sipas profesor Hasanit, lë hapësirë për ambiciet e ndryshme për ndryshimin e kufijve në Ballkan, sidomos në Maqedoni, si dhe prishjes së konceptit të Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën kishte përfunduar lufta në Bosnjë e Hercegovinë.

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që për të arritur deri te një marrëveshje eventuale për “korrigjim të kufirit” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ekzistojnë procedurat normale, sikurse për secilin shtet. Sipas tij, paraprakisht duhet të ekzistojë njohja e ndërsjellë ndërmjet shteteve, duhet ta ketë garanci dhe pranimin të kufijve, si dhe shënimin në terren të atyre kufijve. Pas këtyre procedurave, siç thotë Tahiri, atëherë, shtete e pavarura mund të bëjnë bisedime për korrigjim të kufijve.