Hasani i kërkon Kryeziut sqarim për pjesëmarrje në aktivitetin e PDK-së

Duke marrë pjesë në aktivitetin e PDK-së, Kadri Kryeziu, ka shkelur Kodin e mirësjelljes së Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit “gjyqtarët ... nuk duhet të marrin pjesë në aktivitete politike”.

Lajme

27/05/2014 09:22

Kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, i ka kërkuar Kryeziut deklarim me shkrim për veprimin.

Përgjigjja duhet të kthehet deri në fund të kësaj jave.

Një burim i gazetës Koha Ditore ka thënë se, më së largu më 12 qershor, gjyqtari do të dalë në procedurën e përgjegjësisë, deri në shkarkim.

Sipas jëtij burimi, vendimi për inicimin e procedurës së shkarkimit të këtij gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, do të merret brenda dy javësh.

“Tani për tani një gjë e sigurt është: ai do të dalë në procedurën e përgjegjësisë, deri në shkarkim”, ka thënë ky burim.

“Kjo do të ndodhë jo më larg se më datën 12 qershor, sepse duhet të mblidhen edhe faktet e rastit”.

Të shtunën pasdite Kryeziu ka marrë pjesë në një aktivitet të PDK-së, gjatë të cilit Thaçi ka promovuar platformën e tij qeverisëse për mandatin e ardhshëm qeveritar. 

Kryeziu pas përfundimit të luftës në Kosovë, gjatë kohës së qeverisë së përkohshme të Hashim Thaçit, ka qenë kryetar i Komunës së Prizrenit.

Pas humbjes së zgjedhjeve, Kryeziu është emëruar kryetar i Degës së AAK-së në Prizren.

Ai këtë pozitë politike e ka mbajtur deri në emërimin si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, pozitë të cilën e mban edhe sot.