Haradinajt dhe vartësve të tij do t’u kompensohen pagat pas vendimit të Gjykatës

Ditë e frytshme Qeverinë Haradinaj. Përveç që nga sot kryeministri Ramush Haradinaj dhe vartësit e tij do të marrin paga të dyfishuara, atyre do t’u shtohen rritjet e gjashtë muajve të kaluara, pasi nuk i kishin marrë për shkak se u pezullua vendimi i marrë nga Haradinaj për rritjen e pagës së vet dhe të qeveritarëve.

Lajme

11/06/2018 18:21

Kryeministri Ramush Haradinaj, që edhe ashtu ka të ardhura të larta mujore, do të shoh ditë akoma më të mira në këtë aspekt.

Gjykata Kushtetuese sot konstatoi ligjshmërinë e vendimit të Haradinajt për dyfishimit të pagës së vet dhe të vartësve të tij.

Tash e tutje shefi i Qeverisë do ta ketë pagën 2950 euro, ndërsa i janë grumbulluar edhe rritja e pagës së gjashtë muajve të kaluar sa ishte pezulluar vendimi i ngritjes së pagaze.

Kjo sepse vendimi i Qeverisë ishte marrë më 20 dhjetor të 2017’ës, ndërsa ishte pezulluar derisa Gjykata Kushtetuese doli më një konstatim.

Për gjithë muajt që Haradinaj dhe zyrtarët tjerë qeveritarë nuk i kanë marrë pagat me rritje u janë grumbulluar dhe do t’i marrin të gjitha përnjëherë.

Vendimi do të hynte në fuqi prej datës 1 dhjetor 2017. Kësisoj, pagat me rritje ishin planifikuar të merreshin që nga 1 janari i këtij viti.

Prej një janarit deri më tani kryeministrit dhe të tjerëve i janë mbetur gjashtë paga që do t’i marrin tash kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk ka pasur shkelje në marrjen e këtij vendimi.