Haradinajn nuk e lëkund Komisioneri Hahn për taksën: E heqim pas njohjes nga Serbia

Komisioneri për Zhvillim i Bashkimit Europian Johanes Hahn erdhi sot në Prishtinë. Arsyeja kryesore po del të jetë presioni për heqjen e taksës për mallrat serbe. Por vizita e tij nuk ka arrit që t’ia ndryshoj qëndrimin kryeqeveritarit të Kosovës Ramush Haradinaj për këtë çështje.

Lajme

17/01/2019 20:47

Bisedën me komisionerin Johanes Hahn e nisi me temën e liberalizimit të vizave. Por mysafiri nga Brukseli ia kujtoi të enjten pasdite kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj se kjo çështje është përmbyllur në dhjetorin e kaluar kur pati thënë se Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave deri më 2020, e se tash është vetëm fillim viti.

Mirëpo kryeministri i vendit u shpreh më optimist.

“Ne e kemi përmbush obligimin. Besoj se jemi në dinamikë të re, në dinamikë më të mirë”, tha Haradinaj për Klan Kosovën.

Hahn ishte më fort i interesuar që të bisedojë për heqjen e taksës për mallrat serbe e boshnjake. Për këtë punë edhe kishte ardhur në Prishtinë.

E Haradinaj ia kishte kthyer përgjigjen e njëjtë, sikurse kërkesës së amerikanëve.

“Sa më shpejt që të arrihet njohja po”, tha Haradinaj.

Por se a ka ofruar BE garanci për këtë përmes së të dërguarit të tij nuk tregoi.