Haradinaj: Ushtria e Kosovës do t’i shërbejë paqes në botë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Ushtria e Kosovës e cila do të krijohet së shpejti do të jetë një kontribuues modest për krijimin e paqes në botë.

Lajme

10/12/2018 22:42

Haradinaj për ‘Associated Press’ ka thënë se transformimi i FSK-së në Ushtri do të ofrojë paqe.

“Nuk mund të jeni të sigurt, nuk mund të ndihmoni paqen dhe stabilitetin në botë, pa qenë në paqe me vetveten, duke pasur ushtrinë tuaj”, ka deklaruar kryeministri, përcjell lajmi.net.

Tutje, në tekst thuhet se Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe Serbia ende nuk e njeh.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Ushtria e Kosovës mund të rrezikojë stabilitetin dhe paqen rajonale pasi sipas tij do të shkaktojë një ndërhyrje të armatosur.

Vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi inicioi të njëjtën gjë por u tërhoq pas presionit ndërkombëtar.

NATO dhe SHBA kanë kërkuar që transformimi të bëhej me amendamente kushtetuese të cilat duhet të kalojnë me votat e minoriteteve, përcjell lajmi.net.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar Kosovën se ‘një veprim i tillë është i gabuar dhe shkon kundër këshillës së shumë aleatëve të NATO-s’.

Ai iu ka bërë thirrje zyrtarëve serbë dhe kosovarë që të tregojnë qetësi dhe përmbajtje në mënyrë që të shmangin çdo deklaratë ose veprim provokues.

Ushtria e re e Kosovës do të ketë 5 mijë trupa dhe 3 mijë rezervistë me një buxhet vjetor prej 98 milionë eurosh. Ajo do të jetë një forcë sigurie e cila do të merret me reagimin ndaj krizave dhe me operacionet e mbrojtjes civile.

Transformimi i FKS-së në Ushtri pritet të bëhet më 14 dhjetor. /Lajmi.net/