Haradinaj u takua me Thaçin për t’i konfirmuar se koalicioni PAN i ka numrat!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me Ramush Haradinajn, kandidatin e koalicionit fitues PAN.

Lajme

13/07/2017 15:53

Në takim pos Thaçit e Haradinajt ka pasur edhe akterë të tjerë politikë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Njëri nder ta ka qenë edhe Daut Haradinaj.

Edhe pse zyrtarisht nuk është bërë e ditur tema e takimit, lajmi.net merr vesh se Haradinaj i ka thënë presidentit Thaçi se koalicioni PAN i ka numrat për zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë së re në krye me të.

“Thaçi e ka marrë konfirmimin nga Haradinaj se koalicioni PAN i ka numrat për formimin e institucioneve të reja, duke përfshirë kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë. Presidenti së shpejti do të thërras mbledhjen konstituive të Kuvendit e më pas do të zgjedhen edhe institucionet tjera”, kanë thënë burime të lajmi.net brenda koalicionit PAN.

Lajmi.net ka raportuar edhe më herët se mbledhja konstituive e Kuvendit mund të mbahet në fillim të javës së ardhshme.

Në këtë mbledhje do të verifikohen mandatet e deputetëve nga një komision ad hoc e më pas i hapet rruga zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit që sipas Kushtetutës është nga Grupi më i madh Parlamentar.

Tutje, pas konstituimit të Kuvendit, presidenti sipas Kushtetutës, mandaton për formimin e qeverisë kandidatin e koalicionit apo partisë që i ka fituar zgjedhjet.

Numrat në Kuvend janë si vijon: Koalicioni PDK-AAK-Nisma 39 deputetë, LVV 32, LDK-AKR-Alternativa 29, Lista Serbe 9 deputetë…

Qeveria formohet nëse për të votojnë minimalisht 61 deputetë, pra shumica e thjeshtë dhe kjo bëhet pas tri raundeve të votimit. Dy raundet e para kërkojnë 2/3 e deputetëve, apo 80 vota, kurse raundi i fundit vetëm 61 vota. /Lajmi.net/