Haradinaj thotë se Serbia prodhon ushqim-bërllok për Kosovën

Si të ndjeshëm e ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve në veriun e Mitrovicës i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjithashtu ka folur për ushqimin që na vjen nga Serbia, duke e vlerësuar atë si bërllok. 

Lajme

27/05/2014 20:32

I pyetur nga gazetarët lidhur me mendimin e tij për mbarëvajtjen e zgjedhjeve më 8 qershor në atë pjesë të vendit, Haradinaj tha se ka ndjeshmëri se a do t’i respektojnë formalitetet e Kosovës dhe se a do të ketë ndonjë keqpërdorim apo mbivotim.

“Si ka me shku puna në veri është pak e ndjeshme, ka ndjeshmëri të të gjitha natyrave, prej atyre se a do t’i respektojnë krejt formalitetet e Kosovës, deri te ato se a do të ndodhë ndonjë keqpërdorim apo mbivotim. Kemi kërkuar edhe ndihmën e OSBE-së. Zgjedhjet janë më shumë kosovare tash se ato komunale në veri, mos harroni, OSBE nuk e ka situatën si përpara, këto zgjedhje janë më shumë Kosovë, prapë janë disa detaje, ne kemi menduar që me ligjin e ri zgjedhor me i rregullu, nuk kemi mundur tani me shti në fuqi këto norma, por prej 1 janarit, besoj, edhe këto zgjedhje duhet me kalu ashtu siç janë”, ka thënë ai, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, lidhur me letrën dërguar komandantit të KFOR-it, rreth raportit që i referohet inteligjencës së KFOR-it, e që është publikuar në ‘Koha Ditore’, duke e implikuar atë në botën e krimit të organizuar, Haradinaj tha se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë biznes apo marrëdhënie tjetër me njerëzit e përmendur në raport. Ai shtoi se në atë raport ka gjetur informacione shqetësuese lidhur me të.

Gjatë ditës, kreu i AAK-së ka qëndruar edhe në Universitetin Publik në Gjilan, ku, para studentëve, pos tjerash, ka folur edhe për çështje shëndetësore, duke bërë ftesë që të konsumohen produkte vendore.  

Haradinaj ka thënë se prodhuesit serbë në Serbi kanë vijë të veçantë të prodhimit për Kosovën. Sipas tij, ata kanë për qëllim që për Kosovë të ndajnë një vijë sa më të dobët të ushqimit.

“Ata kanë vija të veçanta të prodhimit, mbane mend qytetarë të Gjilanit e të Kosovës, për shembull, kur e prodhon ai për Gjermani një produkt nëse e eksporton, e ka një vijë, për vete e ka një vijë, edhe për ne e ka një vijë, e qysh e ka vijën tonë në mbetjet e lëndës së parë, që e ka për vete e për tjerët, me ato mbetje, me trohat, mos me thënë me bërllokun e mbaron produktin për Kosovë, pra e kanë vijën e ndamë që kur shesin në Kosovë me shitë mall sa më të dobët, sa më bërllok….shumica e sëmundjeve janë prej ushqimit, po thonë edhe mjekët, se po hamë ushqim të dyshimtë”, ka thënë ai.