Haradinaj takohet me deputetët e Parlamentit Gjerman, flasin për vizat e dialogun

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim delegacionin e deputetëve të Parlamentit Gjerman për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, të kryesuar nga Stephan Brander.

Lajme

01/11/2018 16:40

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj në emër të Kosovës falënderoi shtetin dhe popullin gjerman për kontributin që kanë dhënë në proceset shtetndërtuese të Kosovës, duke iu shprehur atyre mirënjohje të thellë, thuhet në njoftimin e kryeministrisë, përcjell lajmi.net.

Siç thuhet në njoftim, kryeministri Haradinaj, njëkohësisht, e njoftoi delegacionin gjerman për angazhimin e Qeverisë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, si dhe progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike.

“Në kohëra të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtetndërtimit në Kosovë, dhe sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës euroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo është dëshmuar edhe me inaugurimin e parkut inovativ dhe trajnues në Prizren, hapësirën që deri dje ishte e kampit ushtarak të kontingjentit gjerman të KFOR-it, si një  mundësi e mirë për rritjen e zhvillimit ekonomik.

Po ashtu në njoftim thuhet se në takim është biseduar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, rolin e Gjermanisë në procesin e dialogut, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ndërkaq, të pranishëm ishin edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, si dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. /Lajmi.net/