Haradinaj: S’ka tërheqje të masës pa njohje nga Serbia

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, sot në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seancë e jashtëzakonshme për dështimin e diplomacisë kosovare, ka thënë se masat e importit ndaj Serbisë nuk duhet të tërhiqen deri në njohje.

Lajme

22/11/2018 11:38

Sipas Haradinajt, megjithë presionet, Kosova duhet ta ketë një qëndrueshmëri në vendimet e marra, raporton lajmi.net.

“Derisa Serbia të njeh Kosovën shtet të pavarur  dhe Sovran nuk do t’i heqim këto masa. Do të na jepet ndonjë çmim si kundërvlerë, mirëpo nuk do të ishte mirë të hiqen këto masa”, ka thënë ai.

“Pa një qasje të tillë do të ishte e pamundur të arrihet një marrëveshje. Nëse nuk e kemi një qëndrueshmër, po heqim dorë nga vetëvetja”, ka shtuar ai.

Haradinaj foli edhe për politikën e jashtme të Kosovës, për të cilën tha se i ka të metat e veta, mirëpo se e mira e diskutimit sipas tij do të ishte që Kuvendi të nxjerrë temat me më rëndësi në të cilat duhet të fokusohet diplomacia.

“Politika e jashtme i ka të metat e veta dhe ka vend për kritikë. Besoj që kjo është e drejtë të thuhet. Dëshira do të ishte që nga kjo seancë të nxjerrim detyrat dhe obligimet që janë me më shumë rëndësi, dhe të japim rekomandime sa më të qarta”, ka thënë ai.

“Sa i përket Kosovës, 10 vjet pas pavarësisë, është një kohë e reflektimit të përvojave dhe informatave që të nxjerrim një konkluzion që të bëjmë gati 10 vite tjera. Dhe ajo se çka është e rëndësishme është përmbyllja e infrastrukturës së sigurisë në vend”, ka shtuar Haradinaj.

Sipas Haradinajt, mandatimi i Ushtrisë së Kosovës, është e arritur edhe në planin e jashtëm të politikës së Kosovës.

Kjo sipas tij rrjedh nga përkrahja e aleatëve kryesorë të sigurisë.

Sa i përket raportit me Serbinë, Haradinaj tha se koha ka dëshmuar se përshtatja e Kosovës me agjendat dhe proceset nuk do të jap rezultate, për shkak se i njëjti proces nuk është reflektuar nga pala serbe.

“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, kjo kohë në tregon se vetëm përshtatja e Kosovës në agjenda dhe procese nuk mjafton dhe nuk jep rezultate. Nëse ne vetëm respektojmë agjendat dhe vetëm përshtatemi, ne konsumohemi”, ka thënë ai.

Kujtojmë, se Kosova gjatë kësaj jave nuk arriti të bëhej pjesë e familjes botërore të INTERPOL-it.

Kosova nuk arriti t’i marrë dy të tretat e nevojshme të votave për pranim./Lajmi.net/