Haradinaj: Situata në Kuvend kurrë nuk ka qenë më e komplikuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, situatën në Kuvendin e Kosovës e ka cilësuar si më të komplikuarën ndonjëherë.

Lajme

19/02/2016 14:18

Ai përmes një komunikate për media, ka thënë se Qeveria dhe deputetët e partive në pushtet po sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme dhe se, sipas tij, po vazhdojnë me provokime dhe improvizime.

Haradinaj edhe njëherë, u ka bërë thirrje partive në pushtet që të mos vonohen dhe të caktojnë sa më shpejtë datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Reagimi i plotë i Haradinajt:

Nuk është Kosova sot, sikur para 5-6 muajsh. Qeveria nuk mund të bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të vazhdojnë me improvizime e me provokime për t’i mbrojtur pozicionet e tyre, sepse kjo nuk është e mundur më.

Ka një mënyrë për të dal nga kriza dhe ajo është , zgjedhjet.

Këta duhet të bëhen burra e t’i pranojnë zgjedhjet. Kjo ofertë është për t’i shpëtuar edhe ata më fytyrë, nëse kanë më.

Janë vonuar për Jabllanoviqin dhe iu ka dalë keq;

Janë vonuar për marrëveshjet dhe iu ka dalë keq;

Sot po vonohen për shpalljen e zgjedhjeve dhe prapë do t’iu dalë keq.

Vetëm se këtë herë unë druaj se do të jetë keq për të gjithë ne, për vendin dhe për qytetarët.

Prandaj nuk duhet të vonohemi edhe një herë se do të bëhet vonë për të gjithë neve. Sfida që duhet pranuar për ta kthyer vendin në rrugë të normale, janë zgjedhjet.

Ata që e duan këtë vend, nuk duhet të vonohen t’i binden kësaj sfide!