Haradinaj: Sikur në luftë, besimin e dhënë do ta nderoj edhe në paqe

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj sot ka vizituar qytetin e Mitrovicës.

Lajme

26/05/2017 18:34

Ai e ka cilësuar si një humbje dhe padrejtësi se si në një qytete jetohet ndaras dhe me barrikada e pengesa, raporton lajmi.net

“Është një humbje e madhe që kaq gjatë është lejuar të jetohet ndaras me barrikada e pengesa. Në krejt botën është një trend i globalizimit, i integrimeve, i shkëmbimeve, kurse është e habitshme se si në Evropë pranohet një turp si ky. Turp i madh për këtë kontinent, që në një qytet njerëzit të jetojnë ndaras”, ka thënë Haradinaj para mitrovicasve.

Ai ka kërkuar nga Brukseli që të ndërmerr diçka në përmirësimin e kësaj situate, e jo ta lë Kosovën pa viza dhe pa integrim duke i vendosur kushte që askujt nuk i janë vendosur.

Haradinaj i ka falënderuar gjithë qytetarët dhe partnerët e koalicionit për besimin e dhënë, duke shtuar se do ta nderoj këtë besim.

“Bashkim me Nismën, së fundi besimin e kam marrë edhe prej PDK-së. Ky është një besim që të krijohet një mundësi me i marr punët e Kosovës në dorë, për me e pas një fillim të ri.  Besimin e dhënë ashtu si dikur, do ta nderojë me punë për këtë vend për qytetarët tonë”, ka thënë lideri i AAK-së. /Lajmi.net/