Haradinaj: Shërbimi korrektues, sektor i rëndësishëm

Shërbimi korrektues është sektor tejet i ndjeshëm dhe i rëndësishëm dhe për të cilin duhet angazhuar të gjithë ne.

Lajme

06/09/2018 15:03

Kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj pasi priti në takim ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin dhe drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçin.

Haradinaj e uroi drejtorin e ri për punën dhe bisedoi për gjendjen në këtë shërbim dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar një shërbim korrektues të qëndrueshëm dhe stabil.

“Duhet të kemi një marrëdhënie të mirë ndërinstitucionale, në mënyrë që shërbimi korrektues të jetë brend i shtetit tonë”, theksoi kreu i ekzekutivit, duke shtuar se qëndrueshmëria e zhvillimit të përgjithshëm të çdo shoqërie është ndërtimi i një sistemi të avancuar të drejtësisë.

Haradinaj theksoi rëndësinë që ka për ekonominë e vendit përfshirja e të burgosurve në sektorin e punës, përmes projekteve specifike dhe të profilizuar, siç janë ato të prodhimit, bujqësisë dhe në sektor të tjerë, duke garantuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës që sistemi i drejtësisë me të gjitha fushat të jetë i zhvilluar, i qëndrueshëm dhe që i përgjigjet nevojave të shkallës së zhvillimit tonë shoqëror.

Ministri Abelard Tahiri dhe drejtori Nehat Thaçi e kanë informuar kryeministrin  me zhvillimet në këtë sektor dhe për sfidat me të cilat janë duke u përballur, duke theksuar se situata në këtë sektor është e mirë, duke e përmbushur 95 për qind të agjendës legjislative.