Haradinaj: Së bashku do nisim punën për një epokë të re

Ramush Haradinaj është regjistruar sot si deputet i Kuvendit të Kosovës. I nominuari  për kryeministër nga blloku opozitar tha se do të nisin punën për një kapitull të ri për vendin.

Lajme

10/07/2014 12:32

Ramush Haradinaj sot ka plotësuar formularin dhe është regjistruar në Administratën e Kuvendit të Kosovës si deputet i legjislaturës së pestë.

Kjo është hera e dytë që Haradinaj, regjistrohet si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Por Haradinaj, mund të mos e ushtrojë edhe gjatë funksionin e deputetit nëse plani i partive opozitare LDK-AAK- Nisma, për ta formuar Qeverinë funksionon. Haradinaj është i nominuar për kryeministër nga partitë e bllokut opozitar.

Haradinaj thotë certifikimi i tij për herë të dytë në pozitën e deputetit ishte një përjetim i veçantë.

“Pas 10 vjetësh, sot u certifikova për herë të dytë në mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës”.

“Sigurisht se ishte përjetim i veçantë, pas një periudhe të gjatë, me plot sfida, që kaluam unë, familja dhe Kosova. Ky moment shënon edhe një pikënisje të re për të gjithë ne, në rrugën dhe synimet e përbashkëta për Kosovën evropiane”.

“Bashkë me kolegët tjerë të koalicionit LDK, AAK dhe NISMA, si dhe me mbështetjen dhe konstruktivitetin e grupeve dhe deputetëve të tjerë, të përcaktuar për ndryshimin e madh, do të nisim punën në një kapitull dhe në një epokë të re për vendin”.

“Personalisht dhe me kolegët, me po të njëjtat energji dhe me po të njëjtin përkushtim, do ta vazhdojmë angazhimin, aty ku na ndërprenë 10 vjet më parë”.

“Kosova ka shënuar të arritura, është shtet i pavarur, por shtetit dhe pavarësisë sonë i duhet rend, ligj, zhvillim, sovranitet dhe integrim”.

“Këtë do ta bëjmë bashkërisht, që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Urime, Kosovë! Urime, qytetarë të vendit tim”, tha Haradinaj.