Haradinaj: Qeveria do të rritë partneritetin privat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, me të cilët ka biseduar për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e partneritetit ndërmjet institucioneve, odave dhe sektorit privat në përgjithësi.

Lajme

10/12/2018 13:08

Kryeministri Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që të jetë përkrah prodhuesve vendorë, duke theksuar përkushtimin që edhe më tutje të vazhdojë punën në reformat e përgjithshme në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, fuqizimit të sektorit privat dhe krijimit të një klime të favorshme për biznese, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Gjatë takimit, është diskutuar edhe për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për masën prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se kjo është përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës ndaj subjektivitetit dhe sovranitetit të Kosovës.

Siç thuhet në njoftim, përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës i kanë shpalosur para Kryeministrit Haradinaj një listë të kërkesave të tyre karshi Qeverisë së vendit, për të cilat Kryeministri Haradinaj u zotua që do të angazhohet në adresimin e tyre.

Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës po ashtu falënderuan kryeministrin Haradinaj për përkrahjen që po i jep zhvillimit të sektorit privat dhe prodhuesve vendorë përmes lehtësirave tatimore, duke shprehur përkrahjen për taksën 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, e cila sipas tyre do t’i fuqizojë bizneset dhe prodhuesit vendorë. /Lajmi.net/