Haradinaj: Qeveria do të ofrojë mbështetje për Postën e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e sindikatës së Postës së Kosovës, me të cilët ka biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për këtë ndërmarrje publike.

Lajme

14/09/2018 17:57

Gjatë takimit Haradinaj është njoftuar nga sindikalistët për sfidat me të cilat është duke u përballur kjo ndërmarrje, në të njëjtën kohë ata kanë paraqitur kërkesat për të cilat sipas tyre duhet gjetur zgjidhje e përbashkët.

“Jemi duke ndjekur nga afër gjendjen në Postën e Kosovës e cila deri vonë ka qenë ndërmarrje shumë e suksesshme, por që tani është duke u përballuar me një gjendje jo të mirë financiare, andaj në bazë të kompetencave dhe mundësive do të gjejmë zgjidhje të kënaqshme”, tha Haradinaj.

Gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e shërbimeve universale postare dhe për mundësinë që institucionet e Kosovës shërbimet e tyre t’i marrin nga Posta e Kosovës, për të cilat kryeministri Haradinaj tha se do të shqyrtohen mundësitë që Qeveria si aksionar kryesor, të gjejë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, duke i marrë përsipër obligimet e deritashme, sidomos për shërbimet universale postare.