Haradinaj: Qasja e Thaçit do të ketë një epilog (video)

Ramush Haradinaj tha se qasja e Kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, siç shprehet ai, për të mbajtur peng institucionet, do të ketë një epilog. 

Lajme

14/10/2014 14:12

Kryetari i AAK-së dhe i nominuari i bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV për kryeministër, Ramush Haradinaj ka përsëritur kritikat ndaj PDK-së dhe kryetarit, Hashim Thaçi, duke e akuzuar këtë të fundit për “marrje peng të shtetit”.

Pas takimit që pati me përfaqësuesit e partive të bllokut, Haradinaj tha se kjo situatë aktuale politike nuk do të vazhdojë edhe gjatë.

“Zotëri Thaçi dhe PDK kanë 36 deputetë të zgjedhur. LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje kemi 63 vota apo 63 deputetë. Thaçi qeveris vendin me 36 vota. Vazhdon të merr vendime në emër të Kosovës me 36 vota”.

“Kuptohet, kjo gjendje nuk do të vazhdohet gjatë, s’mund të vazhdojë pa kufi”.

Ai ka njoftuar se deputetët e këtyre katër partive do të arrijnë të krijojnë një epilog të bllokadës së konstituimit të Kuvendit, mirëpo, nuk ka dhënë detaje se si kjo do të ndodhë.

“Nuk e di kujt i vyejnë zgjedhjet por, parlamenti ka shumicë parlamentare. Zgjedhjet do të mund të shpalleshin kur do të ishin tri grupe politike e asnjëra nga ne nuk do e kishte shumicën”.

“Situata i ngjason vendeve ku diktatorët e ndryshëm, pushtetarët e ndryshëm kanë menduar se janë të përjetshëm”.

Haradinaj ka kritikuar edhe kryesuesen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovinën, e cila, po vazhdon të mos e thirr vazhdimin e kësaj seance.

“Biseduam me Limajn dhe Kurtin për stagnimin dhe jemi të habitur me këtë qasje, pra me zgjedhjen e kryesueses Flora Brovina, e cila ka vendosur që as këtë javë të mos e thërras vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Me këtë rast, Thaçi e ka marr një rol të atyre që dëshirojnë të mbajnë peng Kosovën, për aq sa mundën”.

“Fati i mirë është që në Kuvend ka shumicë parlamentare, dhe Kosova nuk do të mbetët peng e Thaçit, dhe qasja e tyre do të ketë një epilog”.

Ndërsa i pyetur se si do të reagoj Blloku, në rast se Presidentja Atifete Jahjaga vendosë të thërras zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, Haradinaj tha se “ ajo mund të flas vetëm për vete e jo për neve”.