Haradinaj: Presidentja mund të kërkojë sqarim për pikën 127

Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që blloku t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shpjegim se si të dilet nga kriza politike.

Lajme

17/10/2014 16:05

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që partitë e bllokut t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për pikën 127 të vendimit të kësaj gjykate, nëse një gjë të tillë nuk e bënë presidentja Atifete Jahjaga.

Haradinaj pas takimit që liderët e koalicionit LAN, kanë zhvilluar sot me Grupin Parlamentar 6+, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke i quajtur kriminale veprimet e fundit me llokim të buxhetit.

“Mund të ndodhë që presidentja vetë e vlerëson që t’i drejtohet gjykatës, por në të njëjtën kohë, mund të ndodhë që edhe ne e vlerësojmë t’i drejtohemi vetë Gjykatës për të dhënë shpjegim, si të dilet nga kjo gjendje”.

“Atë që po bën sot PDK-ja është kriminale. Pra qeverisja në këtë mënyrë, operimi me buxhet në emër të 36 deputetëve është veprim kriminal. Domethënë çdo veprim që bëjnë më tutje bie në kundërshtim me ligjin dhe normat me të cilat kanë qeverisur deri më tani”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i KDTP-së, Mahir Jagxhillar edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e Grupit Parlamentar 6+ se janë kundër zgjedhjeve të reja. “Opsioni i zgjedhjeve nuk është i pranueshëm. Të shikojmë si është e mundur që ta bëjmë një zgjidhje. Ndoshta të kërkojmë një sqarim ose nëpërmjet presidentes ose drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese se cilët hapa duhet t’i marrim që t’i shmangim zgjedhjet dhe të shkojmë më tutje në krijimin e institucioneve”,  ka deklaruar Jagxhillar.