Haradinaj përshëndet miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përshëndetur miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni.

Lajme

14/03/2018 19:12

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky ligj “është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.

Në një atmosferë të tensionuar, Kuvendi i Maqedonisë me 64 vota për e ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe në nivelin lokal dhe qendror të pushtetit.

Miratimi i këtij ligji është bërë pa përfillur 35 mijë amendamente të propozuara nga partia opozitare, VMRO-DPMNE.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonise është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë avancon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, nxitë zhvillimin demokratik të tij dhe i hapë perspektiven e vendit drejt integrimeve euro-atlantike. Me këtë vendim fillon një epokë e re në marrëdhëniet e brendshme të Maqedonisë dhe njëkohësisht edhe në rrugëtimin e gjithë rajonit drejt BE-së.

Uroj të gjithë bashkëkombasit tanë në Maqedoni për kete akt kaq të madh legjitim që hapë perspektiven e tyre, si dhe shtetin maqedon për këtë hap të rëndësishëm për tërë rajonin.