Haradinaj përkujton Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 17 janarit 1982, veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Lajme

17/01/2019 09:04

Haradinaj ka thënë se me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj.

Sipas tij vepra e vizioni i tyre ishin frymëzim dhe udhërrëfyes i të gjitha gjeneratave vijuese në angazhimet për lirinë e vendit, përcjell lajmi.net.

“Në 37-vjetorin, i kujtojmë me respektin më të thellë të rënët e 17 janarit 1982, veprimtarët e shquar të çështjes sonë kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj. Vepra e vizioni i tyre ishin frymëzim dhe udhërrëfyes i të gjitha gjeneratave vijuese në angazhimet për lirinë e vendit, deri në mobilizimin e përgjithshëm të popullit tonë, në fundin e shekullit të njëzet. Nderim i përjetshëm heronjve të kombit, që i dhanë drejtim projektit të shumë brezave, deri në lirinë e plotë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Lajmi.net/