Haradinaj përgëzon Vasfije Krasniqin për guximin për të rrëfyer për përdhunimin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rrëfimit të Vasfije Krasniqit, e cila në RTK ka folur hapur për përdhunimin e saj seksual nga forcat serbe gjatë luftës.

Lajme

16/10/2018 23:41

“E përgëzoj këtë grua të guximshme që ka vendosur të flas hapur për njërën prej plagëve më të mëdha të popullit tonë. Guximi i saj le të jetë udhërrëfyes për viktimat e shumta të dhunës seksuale gjatë luftës, që të ngriten mbi dhimbjen dhe me dëshmitë e tyre të dokumentojnë krimin, që të ngadhnjejë drejtësia”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Haradinaj tha se së bashku, duke inkurajuar viktimat dhe familjet e tyre, do të heqim stigmatizimin që ka rënduar kaq vite mbi to.

Vasfije Krasniqi Goodman ka rrëfyer për televizionin publik rastin e saj të përdhunimit nga forcat serbe, në kohën e luftës, në prill 1999, kur ajo ishte vetëm 16-vjeçe.