Haradinaj: Për Jonuz Musliun jeta kishte veç një kuptim e drejta e popullit shqiptar

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, kanë bërë homazhe tek arkivoli i veprimtarit Jonuz Musliu.

Lajme

20/01/2018 10:47

Haradinaj ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen, bashkëluftëtarët, dhe të gjithë qytetarët.

“Familjes Musliu, bashkëluftëtarëve të Jonuzit, qytetarëve të Luginës së Preshevës, qytetarëve të kësaj treve Anamoravës, kryetari të Gjilanit z.Lutfi Hazirit dhe gjithë bashkëkombësve tonë ku do që janë ju shprehim ngushëllime për vdekjen e hershme të Jonuz Mulsiut”.

Haradinaj tha se për Musliun jeta kishte veç një kuptim e drejta e popullit shqiptar. Ai madje tregoi se edhe çka ka shkruar në librin e zisë.

“Një atdhetar, intelektual, luftëtarë, një njeri që jeta e tij ka veç një kuptim e drejtat e popullit të vet. Në librin e zisë e shkrova vetëm një fjalë ‘Jonuz si ti si populli ynë, luftë vuajtje, por me nder’”, tha Haradinaj, pas homazheve para arkivolit të Jonuz Musliut.

Nga ora 9:30 në Teatrin e qytetit të Gjilanit kanë filluar homazhet për nder të ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, i cili poashtu ishte edhe kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Jonuz Musliu.

Homazhet do të mbahen deri në orën 12, ndërsa varrimi i Musliut do të bëhet në vendlindjen e tij në Konçul të Bujanocit në ora 14.

Jonuz Musliu ka vdekur në moshën 59 vjeçare në një spital në Turqi, ku ishte duke u trajtuar pas një sëmundje të rëndë./Ekonomiaonline