Haradinaj nuk ka frikë nga zgjedhjet e reja, ia përsërit Thaçit se çështja e kufijve ka ‘vdekur’

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj duke u ndërlidhur me deklaratat e djeshme të presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se kush e ka ndërmend me e rrëzu qeverinë e rrëzon dhe nuk flet.

Lajme

09/10/2018 15:07

“Çështja për korrigjimin e Kosovës ka vdekur. E vetmja mënyrë për rikthimin e saj është përmes një skenari të dhunës. Jam i interesuar që dialogu të vazhdojë dhe të arrihet një marrëveshje”, ka thënë Haradinaj, raporton lajmi.net.

Kryeministri ka theksuar se qëllimi i tij është që Asociacioni të formohet vetëm sipas kushtetutës së Kosovës.

Haradinaj ka thënë se nuk ka diçka personale me presidentin Thaçi por e ka me temat të cilat fliten.

“S’ka të bëj me persona por ka të bëjë me temat me interes nacional, siç është marrëveshja me Serbinë, por një marrëveshje e tillë nuk do të arrihet me lëvizje të kufijve”, ka thënë ai.

Kryeministri ka shtuar se në lidhje me deklaratat e Thaçit për rrëzim të Qeverisë nuk ka folur me askënd deri më tani.

Një ditë më parë presidenti Hashim Thaçi deklaroi se nëse kryeministri Haradinaj duhet të tregohet më i kujdesshëm me deklaratat e tij pasi asnjë post nuk është i përjetshëm./Lajmi.net/