Haradinaj: Ngritja e cilësisë në arsim e domosdoshme për të qenë konkurrent në tregun global

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim pune  Rektorin e Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema dhe Kryesuesin e Konferencës së Rektorëve, Ramë Vataj, me të cilët ka biseduar rreth gjendjes në Universitetin e Prishtinës dhe arsimit të lartë në përgjithësi.

Lajme

10/09/2018 12:22

Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme në arsim, duke vlerësuar se ngritja e cilësisë në arsim është e një rëndësisë të veçantë për vendin, marrë parasysh zhvillimet e hovshme globale.

“Po punojmë me përkushtim si Qeveri e Kosovës që t’i ofrojmë mbështetjen e duhur institucioneve arsimore në Kosovë, në të njëjtën kohë i gëzohemi ngritjes së cilësisë dhe sukseseve të studentëve tanë të cilët janë konkurrent në tregun evropian dhe botëror”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, rektorët Dema dhe Vataj e njoftuan kryeministrin Haradinaj me sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë në vend, duke vlerësuar angazhimin e tij në ofrimin e mbështetjes për arsimin në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti.