Haradinaj nga Vlora: Shqiptarët janë populli më i vjetër në trojet e veta në Ballkan

“Sot jam vlonjat dhe ndihem më shumë se çdoherë shqiptar, këtu në zemrën e shqiptarëve”, tha Kryeministri Ramush Haradinaj pas vizitës që i bëri Monumentit të Pavarësisë, varrit të Ismail Qemalit dhe shtatores së Isa Boletinit, ku vendosi edhe kurora lulesh, i shoqëruar nga kryetari i këtij qyteti, Dritan Leli.

Lajme

08/08/2018 13:55

Kryeministri Haradinaj tha se sot janë bashkë, në nderim, jo vetëm të historisë sonë të lavdishme e të çmuar, por edhe për mundësinë që të ndërtohet e ardhmja jonë po kaq e lavdishme, duke qenë afër njëri-tjetrit.

“Jam i bindur që duke qenë më afër njeri tjetrit, e ndihmojmë veten”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri ju bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, edhe atyre të diasporës, që të vijnë në Vlorë për pushimet verore.

Ndërkaq, Kryetari Leli, duke vlerësuar si një vizitë historike, vizitën e kryeministrit Haradinaj, tha se të gjithë së bashku po e vlerësojmë njeriun më të madh të kombit, Ismail Qemalin, figurën që bëri historinë e madhe të shqiptarëve dhe se sot, duke u përpjekur që secili nga ne, në rrugën e tij, të bëjë historinë për të mirën e vendit, për të mirën e Shqipërisë.

Vizitën e tij të fundit, kryeministri Haradinaj e bëri tek Muzeu i Pavarësisë dhe Muzeun Historik ku u njoftua  për historikun e ngjarjes prej kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët janë populli më i vjetër në trojet e veta në Ballkan dhe është njoftuar me atë se si ka lind ajo që është e re e shqiptarëve, si ka lind Shqipëria e re e vitit 1912.

Në paraqitjen përpara medieve, Kryeministri Haradinaj i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për temat e fundit politike në vend, ku tha se ne duhet të konsolidojmë të arriturat tona dhe se hapja e temave të kufijve është e papranueshme.

“Kufijtë janë vendos si rezultat i luftërave. Kufijtë nuk lëvizin me fjalë”, tha Kryeministri Haradinaj.