Haradinaj nga vendlindja: Ushtria e Kosovës forcon Ballkanin, vizat nuk i blejmë me tokë

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ushtria e Kosovës duhet të formohet pa vonesa. Sipas kreut të ekzekutivit nuk përmbyset Ballkani me ushtrinë e Kosovës por forcohet, prandaj edhe duhet që të përfundoj kjo çështje e filluar shumë me parë.

Lajme

19/01/2018 16:09

“Ushtria është e nevojshme, nuk përmbyset Ballkani me ushtrinë e Kosovës, por forcohet duhet të kryhen punët”, tha ai.

Haradinaj këto komente i bëri pas takimit me kryetarin e Deçanit Bashkim Ramosaj. I pari i Qeverisë deklaroi se Deçani do të ketë përkrahjen e Qeverisë.

Përveç premtimeve për investime në shëndetësi, arsim, ekonomi ai theksoi se liberalizimi do të ndodh, raporton Ekonomia Online.

“Deçani ka buxhetin e vet 8 milionë e 700 mijë euro, ka investime që janë nga ministritë, investime në infrastrukturë më shumë por edhe në sektorë tjera. Neve na intereson qeverisja e Deçanit a është transparente, e përgjegjshme. Na intereson gjendja në shëndetësi, nivelet e shërbimeve që i ka Deçani edhe pse lista e barnave esenciale nuk është kompetencë e këtushme, qeveria e paguan barnat esenciale dhe jo ti thuhet pacientit shko blejë, nuk do ndodhë kjo”.

Ai madje u shpreh i bindur se Kosova do të marrë statusin e vendit kandidatë për Bashkim Evropian.

“Liberalizimi i vizave, do të ndodh, por nuk duhet me i ble vizat me tokë, atë tokë që kemi luftuar për të. Statusin e kandidatit do ta marrim jemi duke i kryer punët e vendit”.

Haradinaj nuk la përmendur edhe rezultat e tastit PISA, duke premtuar se këtë vit gjendja do të ndryshoj.

“Kemi problem me testin pisa kemi dal të dobët, duhet me pa si me ndërrua këtë gjendje, nuk jemi më të këqijtë se tjerët”, tha ai.