Haradinaj: Nëse ka zgjedhje në vjeshtë, AAK e gatshme për koalicion opozitar

Në emër të lëvizjes së lirë po plaçkiten qytetarët e Kosovës. Dëmi nga Specialja do të jetë afatgjatë për Kosovën. Dërgimi i lëndës nga opozita në Kushtetuese është një automatizëm por nuk mbajmë shumë shpresë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Koalicion do të bënim me partitë opozitare... Janë këto disa nga qëndrimet që i ka shprehur lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Lajme

15/08/2015 11:41

Dërgimi i lëndës nga ana e tri subjekteve opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën në Gjykatën Kushtetuese, e që e konteston vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, sipas kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, është një veprim me automatizëm, por nga i cili nuk pret që të ketë një përgjigje pozitive.

Lideri i AAK-së në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për shumë tema tjera, për reformat në AAK që tashmë janë në proces e sipër, për lëkundjen në koalicionin qeveritar PDK-LDK, e që sipas tij është koalicion vetëm për të pasur 2/3 në Kuvend lidhur me tema të ndjeshme.

Ai ka folur edhe për mbajtjen e një palë zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, do të ishin shpëtimi i vetëm për të dalë nga situata politike në vend.

Përkundër kundërshtimit të opozitës rreth themelimit të Gjykatës Speciale, ajo tashmë është fakt i kryer, dhe dërgimi i lëndës nga opozita në Kushtetuese, sipas Haradinajt duke pas parasysh vendimet e kaluara të këtij institucioni, e që sipas vlerësimit të tij kanë qenë kryekëput politike, ai nuk është optimist në marrjen e një përgjigjeje pozitive rreth kësaj çështjeje.

“Është më shumë një automatizëm. Ta quaj një veprim me automatizëm, një veprim i procedurave, se ne mendojmë që ka pas shkelje në parlament, ka pas edhe shkelje të qeverisë rreth kësaj materie, por nuk mbajmë shumë shpresë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vet faktin se nuk mendojmë që është e lirë në vendimmarrje në të kaluarën me Gjykatën Kushtetuese që ka qenë tepër e instrumentalizuar”, tha Haradinaj.

Për Haradinaj emrat e spekuluar për gjykatën speciale ditëve të fundit janë informacione që ai nuk i ka, dhe për të nuk ka rëndësi se kush mund të jenë të akuzuarit nga kjo gjykatë që pritet të themelohet në muajt në vijim, por dëmi që do i bëhet vendit, e që sipas tij do të jetë dëm afatgjatë për Kosovën.

Temë e pashmangshme për të cilën është deklaruar Haradinaj është edhe fakti se ditëve të fundit ka pasur deklarata se atmosfera brenda koalicionit PDK-LDK nuk është më e mira e mundshme. Sipas tij ky koalicion i cilësuar shpeshherë i panatyrshëm është vetëm koalicion i 2/3 në parlament, atëherë kur bisedohet dhe duhet të merren vendime të ndjeshme për vendin.

Kreu i AAK-së tha se do të ishte e udhës që vendi të shkonte në një palë zgjedhje të reja, zgjedhje këto të cilat do të ndihmonin vendin të dilet nga gjendja, siç e ka quajtur ai, e pashpresë politike.

E, në rast se një gjë e tillë ndodh brenda kësaj vjeshte, Haradinaj përkundër përvojave të kaluara të hidhura me partinë e kryeministrit Isa Mustafa, do të donte të bënte koalicion me partitë opozitare.

“Jemi të gatshëm me i marr përgjegjësitë për ndryshim pas zgjedhjeve… Ne jemi më të afërt me partitë politike opozitare, ësh të e kuptueshme. Kur i mendojmë dhe shkaktarët ose përgjegjësit e gjendjes në vend, ju atribuojmë kritika dhe mendojmë që shkaktarë të gjendjes në vend janë partitë që janë në pushtet, në këtë rast PDK dhe LDK”, tha Haradinaj.

Marrëveshja e fundit e arritur në mes të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit, lidhur me polisat kufitare, sipas liderit të AAK-së është një plaçkë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, gjë e cila sipas tij reflekton edhe për atë se si po zhvillohet në tërësi dialogu në mes të dy vendeve, dialog ky në të cilin, vlerësoi Haradinaj, ka mungesë të reciprocitetit.

I pari i AAK-së më tej tha se reforma brenda subjektit të tij është një proces që ka filluar që me procesin zgjedhor brenda-partiak e po vazhdon edhe tani, ku në strukturat udhëheqëse të partisë ka pasur lëvizje të reja, e po ashtu edhe në degët e AAK-së nëpër Kosovë.

Haradinaj ka porositur spektrin politik në vend, që të jetë i vëmendshëm karshi situatave të reja që po vijnë për vendin, siç është demarkacioni me Malin e Zi, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe, vendime për të cilat, sipas Haradinajt, nuk guxohet të gabohet, për shkak se pasoja do të kenë qytetarët e Kosovës dhe vetë Kosova në një periudhë kohore të gjatë./kp/