Haradinaj: Nënkryetari dhe tri drejtori do t’i takojnë AAK-së, nëse Abrashi e fiton garën

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka theksuar se nëse kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), del në fund fitues nga gara për të parin e Prishtinës, partia e tij do të marrë nënkryetarin e Komunës dhe tri drejtori.

Lajme

22/11/2017 21:24

Haradinaj në emisionin “Debat D”, ka thënë se AAK do të vendosë se kush do të jenë titullarët në këto pozita.

“E kemi në marrëveshje nënkryetarin dhe tri drejtori. Ka qenë arsye e fortë pse AAK ka lobuar dhe vrapuar për Abrashin, dhe deri diku e ka ngushtuar rezultatin përballë Shpend Ahmetit”, ka shtuar Haradinaj.

Sipas tij, autoriteti i Ahmetit e ndihmojë VV-në të arrinte një rezultat të mirë, sepse “nëse i shohim rezultatet e zgjedhjeve nacionale në Prishtinë, VV-ja ka rënie në Prishtinë”.