Haradinaj në Pejë kërkon përkrahje për kërkesat e opozitës

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj qëndroi sot në Pejë në një takim me strukturat e gjera të partisë, prej nga ka kërkuar bashkim dhe kontribut të anëtarësisë dhe të qytetarëve për zmbrapsjen e qeverisë nga marrëveshjet mbi demarkacionin dhe asociacionin.

Lajme

19/10/2015 19:35

Haradinaj ka ritheksuar edhe këtu qëndrimin e opozitës mbi marrëveshjet në fjalë, duke e quajtur Qeverinë Mustafa, qeveri kokëfortë.

“Ne jemi sot në Pejë për të kërkuar nga ju mbështetje dhe për t’ju siguruar se nuk do të zmbrapsemi nga qëndrimet tona ndaj marrëveshjeve që janë bërë mbi demarkacionin dhe asociacionin. Askush më mirë se pejanët dhe rugovasit nuk e njeh vijën kufitare dhe dëmin që sjellë marrëveshja aktuale. Kam ardhur këtu me bashkëpunëtorët e mi për t’ju informuar mbi secilin hap që po e bëjmë dhe ne nuk do të ndalemi. Nuk kemi interesa partiake, kjo që unë po e kërkoj, le ta kuptojnë të gjithë se është interes nacional. Gojëkëqinjët le ta komentojnë si të duan por do ta kuptojnë se e kanë gabim”, deklaroi Haradinaj në Pejë para një numri të madh qytetarësh e simpatizantësh.

Në takim u fol edhe për qeverisjen lokale të Pejës, me ç’rast kryetari i ri i degës, Naim Sahiti, ka krahasuar, siç tha, dëmet e koalicionit LDK-PDK në Pejë, që janë të njëjta me ato që këto dy parti, sipas tij, po i shkaktojnë vendit edhe në qeverisjen qendrore.

“Peja e di, para Kosovës, se çka do të thotë kur në një mes qeverisin LDK e PDK”, tha Sahiti.

Gjatë ditës në këtë qytet, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i shoqëruar me sekretarin e partisë, Ali Berisha dhe me bashkëpunëtorë të tjerë janë pritur në takim edhe në këshillin e Bashkësisë Islame të Pejës.