Haradinaj: Në Kosovë punë të mira po ndodhin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij sot në komunën e Suharekës, i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri si dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, mori pjesë në prerjen e shiritit të tregut të gjelbër, projekt i përbashkët i Komunës së Suharekës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Lajme

26/12/2018 16:40

Duke përgëzuar komunën dhe banorët e kësaj ane, kryeministri Haradinaj uroi fermerët, duke thënë se kjo është një dëshmi se punë të mira po ndodhin.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, tha se ky është një hap i madh për bujqësinë dhe beson se vitin tjetër do të kenë më shumë buxhet për të planifikuar nga tash projekte të reja.

Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, falënderoi Qeverinë dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për realizimin e këtij projekti, duke thënë se janë krijuar kushte më të mira dhe se ky treg u ndihmon bujqve që t’i shesin prodhimet e tyre vendore.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu vizitoi edhe punimet që janë bërë në kanalin e mbyllur “Gryka e Dubiçakut”, i rregulluar me bashkëfinancim të Qeverisë dhe  Komunës së Suharekës, pas vërshimeve që kanë ndodhur në këtë pjesë.

Kryeministri Haradinaj tha se ka qenë shqetësues lajmi për vërshimet dhe dëmet, por për fat të mirë, siç shtoi ai, nuk pësoi askush.

“Më vjen mirë që është marrë seriozisht  përballja  me gjendjen që ka qenë për sanimin në këtë pjesë dhe tashmë po shihet se është bërë një punë e mirë”, vlerësoi kryeministri Haradinaj. /Lajmi.net/