Haradinaj: Në Drenasin e lirë janë kthyer në përjetësi në shtatore heronjtë e kombit, luftëtarët Fehmi e Xhevë Lladrovci

“Jemi populli që në rrugën për liri e kemi përvojën më të gjatë, ndoshta i takojmë popujve të botës që rrugën e vet deri në liri e kanë më të gjatë të mundshme, mbi mijëra vjet. Por traditën për ta kultivuar lirinë, vlerat e lirisë dhe mundësinë, e kemi për të parën herë në Kosovë’, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në manifestimin e përurimit të shtatorëve të Heroit Fehmi Lladrovci dhe Heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci, që u organizua  nën patronatin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Lajme

20/09/2018 14:15

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se Kosova i është gëzuar 100 vjetorit të shtetit shqiptar,  anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i gëzohemi sukseseve të kombit tonë çdo ditë kudo që arrijnë ato, dhe nuk ka asnjë dyshim, se kudo që jemi sot shqiptarë, liridashës, i gëzohemi faktit se me ndihmën e tyre, në Kosovën e lirë, në  Drenasin e lirë janë kthyer në përjetësi në shtatore heronjtë e kombit tonë, luftëtarët e shquar, njerëzit që e kanë gëzuar respektin e çdo bashkëluftëtari dhe qytetari në ato kohë të vështira.

“Kushdo që  ka pasur nderin t’i njohë sado shkurt, e dinë se kush ishin Fehmi e Xhevë Lladrovci. Përulemi me respekt para kësaj vepre kaq të mirë dhe të qëlluar të kultivimit të vlerave të lirisë dhe përjetësimit në shtatore të heronjve tanë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar presidentin Thaçi dhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci për organizimin e kësaj ngjarje.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se sot është realizuar një nga detyrat për personalitetin e Fehmi e Xhevë Lladrovci, heroit dhe heroinës së Kosovës, nder i kombit.

“Rruga e Fehes dhe e Xhevës deri në këtë shesh zgjati 20 vjet, vite të rënda dhe plotë mall. Nga sot Feha e Xheva janë pjesë edhe e jetës tonë këtu në shesh, ashtu siç ishin edhe janë pjesë e idealeve tona për liri”, tha kryetari Lladrovci.

Nga një fjalë në këtë manifestim e kanë mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përfaqësuesi i Luginës së Preshevës, Shukri Imeri, kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari.

Të pranishëm në zbulimin e shtatoreve të Heroit Fehmi Lladrovci dhe Heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci, ishin edhepersonalitete të tjera nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, kryetarë të Komunave të Kosovës, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, bashkëluftëtarë të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, personalitete nga fusha akademike e kulturore, si dhe qytetarë të shumtë.

Në fund të ceremonisë, kryeministri Hardinaj vendosi kurora me lule, para shtatoreve të heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci.