Haradinaj në Bruksel: Shpejt do të përfundojë procesi i demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Sipas një komunikate për media, Haradinaj dhe Mogherini biseduan për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës.

Lajme

17/11/2017 12:31

Kryeministri Haradinaj theksoi se me dinamikën e përcaktuar me qeverisjen e re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Ai tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Sipas Haradinajt, perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur. Edhe këtë herë, ai nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Haradinaj, vijon komunikata, tha se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe se përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin. Ai theksoi se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces dhe tha se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka nis të adresohet me fillimin e punës së komisionit të ri shtetëror.

Në Bruksel, Haradinaj tha po ashtu se gjetjet e komisionit në raportin përfundimtar do të analizohen dhe pas kësaj do të procedohet më tutje. Kryeministri Haradinaj tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të bëhet pa pengesa.

Ai theksoi se Kosova është faktor stabiliteti dhe po dëshmon përkushtim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialog për normalizim marrëdhëniesh.

Kryeministri i Kosovës theksoi se dialogu duhet të riformatohet, të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.