Haradinaj: Në Bruksel kam insistuar që Amerika të jetë pjesë e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në Zona e Debatit në Klan Kosova, ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel, ka dërguar ankesa pasi Serbia ka arritur të kalojë pragun për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa edhe Kosova ka ndjekur njëkohësisht të njëjtit hapa porse në këtë aspekt po anashkalohet.

Lajme

21/11/2017 22:04

I plotësuar (22:05) – Haradinaj tutje ka shtuar se ka kërkuar që dialogu me Serbinë, të kalojë në pjesën finale, pasi sipas tij ka kohë të gjatë që është proces i ngadalësuar, njofton Klan Kosova.

”Kam shkuar edhe unë dhe një pjesë e kabinetit kemi humb kohë dy ditë pune. I kam prezantuar pikëpamjet që ka Kosova, për proceset ndaj BE-së por edhe për dialogun”.

”Qëndrimi im është me kohë të gjatë kritikues ndaj dialogut që është i ngadalshëm, që është njëfar humbje kohe. Kam instituuar që të kalojmë në finale e këtij dialogu e njëkohësisht të jetë edhe SHBA në tavolinë”.

”Njëkohësisht jam ankuar për faktin se jemi ftuar të dyja vendet në dialog, ne edhe Serbia. Na është thanë shembull se Serbia ka statusin e kandidatit e ne kemi MSA-në, por përpos këtyre marrëdhënieve na u tha se dialogu është instrument shtesë që përshpejton rrugën drejt BE-së”.

”E çka ka ndodhë, përmes këtij instrumenti shtesë, Serbia ka arrit në prag me u ba anëtare e BE-së, ia kanë përmend edhe vitin edhe jo fort larg, e ne skemi lujt vendit si Kosovë”.

”Këto ia kam thënë, s’ka mundësi të na ftoni të dyja palët në tavolinë e na thoni se është instrument shtesë për me u antarësuar në BE, e njërën e bëni anëtare të BE-së, e neve as vizat sna i heq”

Haradinaj: Demarkacioni nuk do të kalojë në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të kalojë në parlamentin e Kosovës.

Haradinaj ka deklaruar që do të paraqitet marrëveshja dhe raporti i komisionit të ri, mirëpo votat nuk janë për ratifikimin marrëveshjes aktuale dhe gjasat janë të mëdha që të shkohet në arbitrazh ndërkombëtar.

“Marrëveshja do të rrezohet në parlament. Me këtë i hapet rruga ose arbitrazhit ndërkombëtar ose negocimit të një marrëveshje të re me Malin e Zi. Dëshira ime është që të merremi vesh me Malin e Zi për arbitrazh ndërkombëtar, e përmes kësaj tregojmë që është hapur një proces që do ta përmbyll këtë temë, gjë që do të na mundësojë liberalizimin e vizave” ka thënë Ramush Haradinaj në një intervistë në Zona e Debatit në Klan Kosova.

Tutje Haradinaj ka folur edhe për vizitën e kongresmenit amerikan në Kosovë, Eliot Engel, me ç’rast ka thënë që fokusi i diskutimit në mes tyre ishte dialogu i Kosovës me Serbinë.

“Ka ardhur koha për përgjigje finale për dialogun, për njohje reciproke, të kalojmë në fazën finale e të njihet pavarësia e Kosovës. Diskutimi me Eliot Engel ishte një lloj vazhdimi i një bisede që ka të bëj me të ardhmen e përmbylljes së njohjes nga Serbia” deklaroi Ramush Haradinaj.