Haradinaj nderi i Pukës

Lideri i AAK'së, Ramush Haradinaj, është nderuar me Çmimin Qytetar Nderi i Pukës.

Lajme

20/11/2013 13:48

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është nderuar sot me Çmimin Qytetar Nderi i Pukës.

Në një njoftim të AAK’së thuhet se “pukjanët e quajtën Haradinajn biri i tyre dhe krenaria e Pukës dhe Kosovës, njëkohësisht”

Çmimi iu dorëzua Haradinajt në një ceremoni të organizuar enkas në 69-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Pukës, nga Kryetari i Bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj.

Ai tha se është nder i veçantë i Pukës dhe pukjanëve që ta kenë nga sot bashkëqytetar nderi të tyrin heroin dhe ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

“Ramush Haradinaj u shqua në luftën për lirinë e Kosovës, në ngritjen e strukturave dhe institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës”.

“Ramush Haradinaj ishte dhe mbetet emër i ve]antë në historinë më të re të kombit tonë, dhe është pasuesi i denjë i dëshmorëve të shumtë të kombit dhe i të gjithë dëshmorëve të Pukës, të cilët po i kujtojmë sot, e të cilët ranë në të gjitha periudhat e përpjekjeve tona për liri e pavarësi, që nga Lidhja e Prizrenit, te Shpallja e Pavarësisë në Vlorë e deri te Lufta e Dytë Botërore dhe rezistenca antikomuniste pas saj”.

Deputeti i Zonës së Pukës, Mark Frroku, e ka quajtur Haradinajn nderi i veçantë i Pukës.

“Është  krenaria e njëkohëshme e Pukës dhe e Kosovës dhe prijësin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ai ka potencuar faktin se në origjinën e tij të hershme, Haradinaj është po ashtu me prejardhje nga Puka, konkretisht nga Iballa e kësaj zone, dhe se kjo përbën rëndësi të dyfishtë për Pukën dhe pukjanët.

Ramush Haradinaj tha se ky akt është një obligim shtesë, por edhe nder për të personalisht dhe për secilin bashkëluftëtar të tij nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për familjen, bashkëpunëtorët, Aleancën dhe mbarë vendin.

“Lufta për lirinë e Kosovës nuk u bë veç në Kosovë. Ajo u mbështet fuqishëm nga të gjithë ju, dhe për këtë jemi falënderues dhe mirënjohës njëkohësisht. Ajo që e arritëm të gjithë bashkë me lirinë e Kosovës, është arritje për shqiptarët në përgjithësi, por edhe kontribut i yni dhe obligim për lirinë në botën mbarë. Me nderin që po më bëni sot, nderohem unë, nderohen bashkëluftëtarët e mi në UÇK, nderohet Kosova dhe nderohemi të gjithë ne”.

Kryetari i AAK’së e ka vizituar po ashtu vendin e prejardhjes së të parëve të tij, Iballën, në rrethinë të Pukës.