Haradinaj: Mos lejoni që në Kosovë të pësojnë dhunë nënat e motrat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga të gjithë mekanizmat e rendit dhe të ligjit, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që të guxojnë të raportojnë dhunën në familje e dhunën ndaj gruas.

Lajme

10/12/2018 12:12

“U bëjë thirrje publike të gjithë mekanizmave të rendit dhe të ligjit, gjithë qytetarëve të Kosovës që të guxojnë të raportojnë dhunën në familje, dhunën ndaj gruas, dhe po ashtu ju ftoj të gjithëve që të jemi bashkë dhe të mos lejojmë që në Kosovë, para syve tanë, para të gjithëve, të pësojë dhunë nëna, motra apo një zonjë e respektuar e vendit tonë, pa marrë parasysh zonën prej nga vijnë ato dhe përkatësinë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën rajonale “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Kryeministri Haradinaj, falënderoi të gjithë ata që kanë punuar intensivisht që kjo temë të arrijë peshën e vet, duke thënë se për të ndihmuar trajtimin e kësaj teme është funksionalizuar Komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, ka nisur aplikimi i skemës pensionale, ndarja e pensioneve, që është një zhvillim i ri në Kosovë, e po ashtu në Kodin Penal dhuna në familje është përcaktuar si vepër e veçantë penale, konform kritereve të Konventës së Stambollit.

Siç thuhet në joftim, duke përmendur të arriturat tjera, kryeministri Haradinaj tha se institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë kanë rritur kapacitete për trajtimin e kësaj teme, janë caktuar koordinatorë për raste të dhunës në familje në të gjitha Gjykatat Themelore dhe Prokuroritë, janë trajnuar policët që merren me rastet e dhunës në familje në stacionet policore, si dhe janë ndërmarrë veprime për kompensimin e viktimave të krimit ku të drejtë kompensimi kanë viktimat nga dhuna në familje.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se në bashkëpunim me UNWomen kanë krijuar databazën e parë shtetërore për të mbijetuarat e dhunës, janë ndarë mjete financiare për të mbuluar punën e strehimoreve të viktimave të dhunës në familje dhe po bëjnë përpjekje për zgjidhjen e një financimi të qëndrueshëm.

“Kemi mbështetur Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve pa pagesë dhe kemi mbështetur projekte që udhëhiqen nga gratë. Kemi vazhduar fushatën vetëdijësuese në shkolla dhe institucione të vendit dhe po synohet që të angazhohen pedagogë dhe psikologë në shkollat e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se ka sfida në këtë temë, siç është bashkëpunimi ndërinstitucional, fuqizimi ekonomik i gruas, duke thënë se ajo që në raste të caktuara përjetohet si lajm i keq, që është rritja e numrit të raportimit të dhunës në familje, në fakt tregon për një vetëdije me të lartë, një guxim të raportimit të rasteve të dhunës.

Po ashtu në njoftim thuhet se  Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, tha se me Kodin e Drejtësisë për të Mitur, të cilin e ka sponsorizuar Ministria e Drejtësisë dhe që është miratuar po ashtu, janë vendosur standarde të larta që fëmijët në asnjë rrethanë të mos jenë viktimë as e shoqërisë, institucioneve apo individëve.

Alia El Yassir, drejtoreshë rajonale për zyrën e UNWomen për Evropë dhe Azi Qendrore, tha se kjo ditë shënon fundin e fushatës, por jo fundin e gjithë punës për luftimin e dhunës ndaj grave, duke shpresuar se kjo ngjarje do të kontribuojë në diskutimin për qasjen në drejtësi për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.

Naim Qelaj, Koordinator Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhunës në Baza Gjinore, tha se mbështetja e kryeministrit Haradinaj që të ecim para për të përfunduar shumë tema të mbetura, të pakryera me vite, për fuqizimin e shtetit ligjor, ishte një motiv për punën e tyre. Ai tha se është punuar shumë për realizimin e mekanizmave institucionalë që fuqizojnë dhe rrisin efikasitetin në zbatim të ligjit.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe Natalia Apostolova, shefe e BE-së në Kosovë, Colleen Hyland, zëvendësambasadore e SHBA-ve në Kosovë, Jan Braathu, Shef i OSBE-së në Kosovë, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe përfaqësues të tjerë institucional. /Lajmi.net/