Haradinaj: Më mirë protesta sesa të iket nga vendi

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj beson se do të ketë rikonfigurim të skenës politike në vitin 2015. 

Lajme

23/12/2014 21:02

(E plotësuar)

Haradinaj u shpreh se beson që do të mbahen zgjedhje të parakohshme dhe për këtë tha se AAK-ja po përgatitet.

“Besoj se do të ketë zgjedhje në Kosovë, në fillim të vitit të ardhshëm. Besoj se do të ketë rikonfigurim. Ne po përgatitemi për zgjedhje. Synimi është që institucionet ti krijojë opozita”.

Duke folur për ikjet e qytetarëve nga Kosova nga gjendja ekonomike dhe për idenë e Vetëvendosjes që të organizohen protesta, Haradinaj tha se është më mirë të organizohen protesta sesa njerëzit të ikin nga Kosova.

“Për mua është më mirë të protestohet sesa të ikin njerëzit. Nëse diçka nuk shkon mirë është më mirë të përballesh sesa të ikësh”, tha ai. 

Haradinaj: Të gjithë jemi përgjegjës për gjendjen aktuale

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj vlerësoi se ndryshimet në Kosovë janë jetike.

Ai në emisionin Rubikon të KTV-së ka thënë se subjekti i tij politik i ka filluar reformat, duke dashur që ta forcojë strukturën e saj por edhe të japë mesazhin se ndryshimi duhet filluar nga shtëpia.

“Ne e kemi detyrë të shtëpisë, detyrën e parë që reformën ta fillojmë nga vetja. Ne nuk dëshirojmë të zgjedhim në AAK njerëz që kanë shkelur ligjin. Ne po flasim për një parti normale dhe një shoqëri normale”.

Ai shtoi se AAK po jep kontribut për ndryshim dhe se mund t’i prijë ndryshimit.

“Ne nuk i nënshtrohemi shtetit të kapur, njerëzve që e kanë kapur shtetin dhe përmes kësaj reforme ne po mundohemi që të ndryshojmë. Ideja për ndryshim është kërkesë jetike në këtë vend, është jetike që Kosova të mos e pranojë nënshtrimin”.

Haradinaj tha se për shkak të etiketimeve për haraç e krim në adresë të partisë së tij, ai nuk do të ndalet së punuari për të mirën e vendit.

“Për shkak pse njerëzit thonë keni bërë haraç e krim, unë kurrë nuk do të lë pa bërë punë të mirë për vendin. Perceptimet e njerëzve nuk do të na ndalin. Nuk po e bëjmë këtë pse e kemi traumë nga ajo që shkoi, por po e bëjmë pse po shohim se ku ka hyrë vendi ynë”.

I pari i AAK-së pranon se për gjendjen aktuale në të cilën gjendet vendi kanë përgjegjësi të gjithë. Ai shtoi se pushteti në vazhdimësi ka përdorur instrumente për të dobësuar opozitën.

“Të gjithë jemi përgjegjës, edhe unë nuk e përjashtoj veten nga kjo përgjegjësi”, tha ai për KTV.