Haradinaj: Me gjithë sfidat që do të dalin, fokusin do ta kemi në ekonomi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ritheksoi se fokusi i Qeverisë së tij është zhvillimi ekonomik.

Lajme

22/01/2019 14:31

“Ky vit është vit i ekonomisë dhe do t’i kthehemi seriozisht temave ekonomike, si riaktivizimi i mirëfilltë i Këshillit Kombëtar për Zhvillimit Ekonomik, krijimin e Sekretariatit të Përhershëm të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik në mes të MTI-së dhe të Odave dhe veprime të tjera të rëndësishme në këtë fushë”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e nëntë me radhë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, shkruan lajmi.net.

Kryeministri Haradinaj potencoi faktin se Kosova ka politikën tatimore më të volitshme në rajon dhe Qeveria dëshiron t’i dëgjojë bizneset edhe më tutje për reformat dhe veprimet tjera që lidhen me investitorët e huaj, duke e ditur se janë 11 investitorë strategjikë të paraqitur dhe njëkohësisht investimin më të madh që pritet të jetë në fazën implementuese me vlerë prej 1.8 miliardë euro, investimi në energji me “Conture Global” dhe hapat e tjerë të rëndësishëm që janë ndërmarrë nga Qeveria, siç është edhe krijimi i zonave ekonomike, me theks të veçantë Parku Inovativ Trajnues në Prizren dhe Zona e Veçantë ekonomike Amerikane në Gjakovë.

“Ne duhet të vazhdojmë së bashku reformat në fushën fiskale, Ligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave, tatimi në të ardhurat personale ka kaluar në lexim të parë, Ligji për TVSH-në dhe Ligji për Administratën Tatimore dhe Përgjegjësitë është proceduar në Kuvend”, tha Haradinaj, duke shtuar se mbetet edhe çështja e informalitetit, por përmendi ligjet, si Ligji i pagave, i festave zyrtare, Ligji i punës, që krijojnë lehtësira në biznes.

Haradinaj falënderoi partnerët ndërkombëtarë, të cilët sjellin nga ekspertiza, përvoja dhe dije, por, tha se ekzistenca e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik duhet të dëshmohet me veprimet që burojnë nga ai dhe kërkoi që të jenë kërkues, sepse me gjithë sfidat që do dalin, fokusin do ta kenë në ekonomi.

Në anën tjetër, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se institucionet pjesëmarrëse të KKZHE-së bashkë me komunitetin e biznesit, kanë qenë aktiv në punët e përbashkëta për të adresuar prioritetet  dhe sfidat kryesore dhe për të zbatuar reformat gjithëpërfshirëse që kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, eliminimin e barrierave, forcimin e ndërmarrjeve në Kosovë, tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend.

“Duke u nisur nga fakti se Qeveria e Kosovës këtë vit e ka shpallur vit të ekonomisë, ne si institucione pjesëmarrëse në këtë forum do të japim kontributin tonë për të ngritur dhe diskutuar shumë çështje që do të ndikojnë pozitivisht në sferën ekonomike në aktivitetin e shtuar të bizneseve, në rritjen e investimeve të huaja në vend dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovë”, tha ministri Shala.

Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka njoftuar për veprimet e ndërmarra në reformën e trajtimit të marrëdhënieve kontraktuale punëdhënës-punëmarrës, përfshirë edhe pushimin e lehonisë.

Me këtë rast, ministri Reçica tha se projektligji i Punës adreson të gjitha çështjet nga marrëdhënia e punës dhe janë marrë praktikat më të mirë të vendeve të BE-së, por po ashtu janë eliminuar çështjet që kanë qenë problematike në Ligjin aktuale të punës.

Po ashtu, ministri Reçica tha se ky projektligj rregullon pushimin e lehonisë, pushimin prindëror dhe të atësisë.

Pushimi i lehonisë parashihet të jetë 12 muaj, ku 3 muaj të parë  pagesa do të bëhet nga punëdhënësi me 70 për qind të pagës bazë,  6 muaj nga qeveria me 50 për qind të pagës mesatare në vend dhe 3 muaj të tjerë pa pagesë jo obligativ.

Ky projektligj parasheh edhe pushimin prindëror pa pagesë nga 4 muaj për secilin prind, derisa fëmija t’i mbushë 2 vjet.

Po ashtu, për herë të parë me këtë projektligj trajtohen edhe lehonat e papunësuara të cilat në bazë të këtij ligji do të përfitojnë në afat prej 6 muaj një kompensim mujor në vlerë të caktuar të pagës minimale në vend.

Përfaqësuesit e bizneseve janë shprehur të kënaqur me reformat fiskale që ka ndërmarrë qeveria, duke potencuar që këto reforma kanë ndikuar në zhvillimin e tyre.

Në këtë takim u fol edhe për Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës Komunale, Ligjin për Partneritetin Publiko-Privat, Menaxhimin e Pronave të “Ekonomisë së Pyjeve”, derisa u fol edhe për bashkëpunimin e shkollave profesionale dhe bizneseve private për aftësimin e kuadrove të reja profesionale, si një hap i rëndësishëm në avancimin e shkollimit dual, i propozuar si nevojë imediate edhe nga kryeministri Haradinaj.

Haradinaj theksoi gjithashtu edhe nevojën që këto takime të mbahen një herë në muaj, si pjesë e rëndësishme për të avancuar me temat e ekonomisë.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar gjithashtu nga anëtarët e këtij këshilli që të vijnë me propozime konkrete dhe t’i qëndrojnë pas temave me të cilat obligohen në mënyrë që të kemi rezultate më evidente në fushën e ekonomisë. /Lajmi.net/