Haradinaj: Me anëtarësimin në Interpol, Kosova do të jetë më e aftë në luftën kundër trafikimit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për Shënimin e Ditës së BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Lajme

18/10/2018 11:36

Ai tha me këtë rast tha se përkushtimi i institucioneve të Kosovës është që të punohet jo vetëm që të jenë pjesë e një lufte që bëjnë vendet e BE-së kundër luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, por edhe të ketë sukseset e veta, thuhet në njoftimin kryeministror.

“Kosova është e sfiduar me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, për shkak se ende nuk është anëtare e Interpolit dhe Europolit”, tha kryeministri Haradinaj, duke besuar shumë se me anëtarësimin në Interpol, Kosova do të jetë më e aftë dhe më në gjendje të zhvillojë partneritet me të gjitha institucionet relevante në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, duke siguruar se në Kosovë, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian kanë një partner serioz në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Haradinaj shtoi se Kosova ka hartuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit; se është krijuar komisioni për Kompensim ndaj viktimës së krimit, i cili funksionon në Ministrinë e Drejtësisë dhe se Kosova është duke zbatuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit 2016-2019, e cila është vazhdimësi e dy strategjive të mëhershme në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Ai poashtu përmendi se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova ka nënshkruar protokollin bashkëpunues mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Gjithashtu, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në këtë periudhë kohore, me qëllim të identifikimit dhe hetimit të rasteve, ka zhvilluar 21 plane operative, 20 operacione për zbatim të rasteve, 10 operacione të përbashkëta me inspektorët komunalë të punës në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe 18 operacione me njësi të tjera policore.

Kreu i Qeverisë tha se në gjysmën e parë të këtij viti, Prokuroria e Shtetit ka trashëguar 38 raste me 66 persona dhe ka pranuar 11 raste të reja me 15 persona. Prokuroria gjatë kësaj periudhe ka punuar gjithsejtë me 49 raste ligjore me 31 persona, nga të cilat i ka zgjidhur 14 raste me 24 persona, ndërsa kanë përfunduar 35 raste tjera me 52 persona. /Lajmi.net/