Haradinaj: Kosova mori lajmin e shumëpritur, deri në fund të vitit lëvizim pa viza

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka postuar në facebook disa fotografi nga takimi me Komisonerin për Fqinjësi të Mirë, Avramopulos.

Lajme

18/07/2018 16:16

Haradinaj tutje ka shkruar se populli i Kosovës sot ka arsye për gëzim, pasi do të lëvizin lirshëm si qytetarët në vendet e tjera.

“Kosova mori lajmin e shumëpritur për hapjen e rrugës drejt lëvizjës së lirë dhe përafrimit me familjen e madhe europiane! Populli i Kosovës me shumë arsye i gëzohet sot rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për lëvizje të lirë në vendet e BE-së, duke u vlerësuar i barabartë me të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe ata europianë. Me shumë përkushtim dhe vizion Qeveria që unë drejtoj, pergjatë tërë këtyre muajve, ka punuar pa u kursyer, në përmbushjen e kritereve të fundit të BE-së”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Haradinaj është shprehur optimist se deri në fundin e vitit kosovarët do të mund të lëvizin pa viza.

“Duke qenë të vetëdijshëm për sfidat, do ta intensifikojmë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe fuqizimin e vazhdueshëm të sundimit të ligjit, me bindjen se Parlamenti dhe Këshilli Europian do të përfillin rekomandimin e Komisionit dhe qytetarët kosovarë do të lëvizin pa viza. Liberalizimi për Kosovën do të diskutohet deri në fund të gushtit në Parlamentin Europian, kurse i tërë procesi pritet të përmbyllet deri në fund të vitit”, përfundon postimi në facebook i kryeministrit. /Lajmi.net/