Haradinaj: Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të gjithë spektrit politik

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në takimin e delegacionit shtetëror për dialogun Kosovë - Serbi, pjesë e së cilës ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministra, si dhe ambasadorët e shteteve të Quintit.

Lajme

27/12/2018 11:59

Në takimin e dytë me radhë, për çështjen e dialogut me Serbinë, qëllimi ishte që të tregohej përkushtimi i institucioneve të vendit për fazën finale të bisedimeve dhe njoftimi i ambasadorëve të Quintit për ecurinë deri tek krijimi i këtij delegacioni, shkruan lajmi.net.

Kryeministri Haradinaj tha se është angazhuar që nga fillimi që të ketë dialog përmbajtësor, transparent dhe në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke angazhuar ekipin më të mirë dhe ekspertë të jashtëm që Kosovës t’i prezantojnë ekipin negociator dhe dokumentin bazë, librin me shumë kapituj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të krejt spektrit politik në vend, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje që është në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur me 17 Shkurt 2008 nga Parlamenti i Republikës së Kosovë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ambasadorët e Quintit i kanë dhënë mbështetje këtij delegacioni dhe po ashtu kanë kërkuar unitet dhe përfshirje të gjithë spektrit politik në fazën finale të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. /Lajmi.net/