Haradinaj: Korrigjimi i kufijve është maskim për ndarjen e Kosovës

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka pasur sot një tubim me të rinjtë e AAK-së në Bogë të Pejës.

Lajme

04/11/2018 14:42

Nga atje Haradinaj ka folur për marrëveshjen me Serbinë, demarkimin e kufirit si dhe për çështje tjera aktuale në vend, raporton lajmi.net.

Siç u shpreh ai, korrigjimi i kufijve dhe demarkimi i tyre, janë maskime për ndarjen e Kosovës.

“Unë nuk besoj në një marrëveshje me korrigjim të kufijve, me demarkim, me ndërrim të territoreve, krejt janë maskime për ndarjen e Kosovës. Të gjitha këto janë maskime që atje në anën tjetër, shefi i shtetit të vet të thotë ‘unë kam nxjerrë diçka, po e pranojmë Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj refuzoi që marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi ta quajë korrigjim të kufijve, duke thënë se ajo është vetëm një korrigjim i marrëveshjes paraprake.

“Ne nuk po korrigjojmë kufij, por po korrigjojmë marrëveshje paraprake e që është bërë gabim. Kufiri është në Qakorr, kufiri është në kullë, dhe këtu është bërë një gabim”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për formimin e Ushtrisë, për të cilën tha se ka mandat mbrojtës dhe se nuk do ta zëvendësojë KFOR-in.

Ai shtoi se kjo ushtri garanton mbrojtjen e Kosovës dhe se sipas tij të rinjtë e Kosovës do të kenë mundësi të kontribuojnë edhe për paqen në botë./Lajmi.net/