Haradinaj: Komuniteti Ashkali pati angazhim të sinqertë për avancimin e Kosovës

Është organizuar sot në Prishtinë, konferenca ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Ashkali, në patronatin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit dhe të cilën e hapi vet Kryeministri Ramush Haradinaj,

Lajme

20/02/2018 15:26

Kryeministri me këtë rast tha se “Ashkalinjtë jetojnë me shekuj në Kosovë dhe janë popuj besnik ndaj Kosovës. Ashkalinjtë e kanë historinë e vet dhe simbolin kombëtar, flasin gjuhën shqipe dhe kanë tradita të njëjta me popullin shqiptar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ky komunitet pas lufte ka qenë aktiv në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj duke shprehur urimin për Ditën e Flamurit të Ashkalive, 15 Shkurtin dhe që në Kosovë ka nisur të shënohet që 15 vite, tha se ngjyrat e flamurit Ashkali simbolizojnë paqen, besnikërinë, por edhe unitetin dhe gjithashtu falënderoi këtë komunitet për një angazhim të sinqertë në avancimin e Kosovës.

“Ju kemi ende borxh ashkalinjëve, ende duhet unë për përmirësimin e gjendjes, por do të punojmë ngushtë me deputetët e zgjedhur që të përmirësojmë pozicionin e ashkalinjëve në banim, shkollim, punësim, dhe në pjesëmarrjen në jetën institucionale”, tha kryeministri Haradinaj.

Danush Ademi dhe Etem Arifi, përfaqësues të komunitetit ashkali në Kuvendin e Republikës së Kosovës, thanë se komuniteti ashkali është përfshirë mirë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke i mbrojtur të drejtat e komunitetit në çdo aspekt.