Haradinaj kërkon nga ZRrE kompensimin e qytetarëve për faturat e paguara në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), të kryesuar nga Arsim Janova, u.d. kryesues i Bordit, me të cilët ka biseduar rreth situatës më të fundit të energjisë elektrike në Kosovë.

Lajme

05/01/2018 16:47

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ZRrE-ja, që në afat sa më optimal të gjendet mënyra e kompensimit të qytetarëve për ngarkesën e shtuar tarifore e aplikuar me vite të tëra. Kjo ngarkesë pa të drejtë ishte aplikuar për mbulimin e humbjeve në komunat veriore.

Kryeministri ka kërkuar po ashtu që të bëhet evidentimi dhe klasifikimi i humbjeve teknike. Vlerësohet nga ekspertët se rreth 12 për qind e këtyre humbjeve shkaktohen nga keqpërdorimet e qëllimshme. Kryeministri shprehu vendosmërinë që nga mekanizmat relevant të kërkojë që këto keqpërdorime të minimizohen dhe ndryshimi të shpërndahet tek qytetarët përmes lehtësimeve tarifore.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e ZRrE-së, theksuan përkushtimin e tyre për rregullimin e aktiviteteve në fushën e energjisë si dhe përmbushjen e detyrave dhe obligimeve në përputhje me përgjegjësitë që parashihen me Ligjin mbi Rregullatorin e Energjisë./Lajmi.net/