Haradinaj: Jemi duke hartuar Projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë KOMF, ka bërë lansimin e Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0.

Lajme

18/01/2018 11:32

Indeksi është një mekanizëm i pavarur për matjen e reformave të çdo vendi në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës (KDF).

Kryeministri Ramush Haradinaj, me këtë rast tha se pozita e fëmijëve në vend është e vështirë. Kjo sipas tij, ka ardhur ngase vendi ka dal nga lufta dhe u pamundësuar vëmendje institucionale fëmijëve.

Por sipas tij, institucionet janë të vendosur që të zbatojë marrëveshjet edhe konventat për të drejtat e fëmijëve.

Ai ka paralajmëruar se është duke u hartuar edhe Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, ndonëse shprehet se ka shumë punë për t`u bërë në këtë drejtim, raporton EO, transmeton Klan Kosova.

“…është në hartim e sipër projektligji për mbrojtjen për fëmijëve dhe planin nacional për mbrojtën e tyre.  Ne kemi bë disa përpjekjet për të mbrojtur fëmijët nga narkotikët në shkolla. Por ka ende punë në këtë drejtim, edhe pse ka shumë rreziqe që fëmija që iu ekspozohet që nga dhuna”.

Kreu i ekzekutivit u shpreh i shqetësuar edhe me mospërfshirje e fëmijëve në shkollimin parafillor gjegjësisht në çerdhe.