Haradinaj i veteranëve: Delawie po thyen të gjitha rregullat diplomatike, nuk e pyesim për shtetin tonë

Nënkryetari i OVL-UCK-së, Nasim Haradinaj ka vazhduar me akuza ndaj ambasadorit amerikan Greg Delawie lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Lajme

18/01/2018 15:11

Ambasadori amerikan të mërkurën në një deklaratë për media ka paralajmëruar pasoja ndaj të gjithë atyre që mbështesin nismën për shfuqizimi e Speciales.

Por, për krejt këto reagime të tij, Nasim Haradinaj thotë se nuk i përngjajnë  një diplomati.

Sipas tij, Delawie po thyen të gjitha rregullat diplomatike dhe po ndërhynë në Kushtetutën e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se njëjtë është duke vepruar dhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell

“Ku keni parë në botë që më hy diplomacia e huaj dhe me i kërcënuar deputetët. Ne nuk e pyesim Delawin për shtetin tonë. Ne jemi fanatik të Kushtetutës që e kem dhe atë e mbrojmë me çdo kusht”.

“Delawie është duke bërë fyerje, dhe duke bërë shkeljet të demokracisë botërore dhe duke bërë shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë Haradinaj për lajmi.net.

Ambasadori amerikan të mërkurën po ashtu ka thënë se ka pjesëtarë të UÇK-së që kanë kryer krime lufte, për të cilën duhet të japin përgjegjësi. Ai ka thënë se Gjykata Speciale nuk gjykon një popull por disa individë.

Por, Haradinaj ka thënë se nëse Delawie ka prova për një gjë të tillë ai duhet të bëhet dëshmitarë.

“Nëse ushtarët e UCK-së, kanë bërë krime lufte e Delawie e dinë  le të jetë dëshmitarë e nëse jo le ta pranon se edhe ai ka bërë krime bashkë me UCK-në, sepse ne bashkë kemi luftuar ne për çlirimin tonë e ai për të drejtat e njeriut”, ka shtuar  Haradinaj.

Nisma e disa deputetëve të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka ngjallur reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtarë.

Ndërsa, Kryesia e Kuvendit as pas tri tentimeve nuk ka mundur të fus në rend dite për seancën plenare, kjo pasi në mbledhjen e kryesisë nuk po bëhet kuorumi i mjaftueshëm për tu shqyrtuar kjo nismë./Lajmi.net/