Haradinaj, i sigurt në Francë

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, po qëndron i lirë në shtetin francez, duke u siguruar nga autoritetet atje. Ish-komandantit të UÇK-së për Dukagjin nuk i duhet mbrojtje e afërt sa po qëndron në Francë, duke pritur vendimin e ri të gjykatës në Colmar, sepse është siguria franceze që e garanton Haradinaj.

Lajme

15/01/2017 10:26

Ai u lirua me kusht nga drejtësia franceze, por duhet të qëndrojë në Francë derisa të përfundojë në tërësi procesi gjyqësor ndaj tij.

Sipas bashkëpartiakëve të tij si dhe njohësve të çështjeve së drejtësisë në vend, Haradinaj nuk ka nevojë që të ketë mbrojtje të afërt, për arsye se ai nuk ndihet i rrezikuar nga ndonjë sulm, dhe vetë lirimi i tij nga masa e paraburgimit dëshmon se ndihet i sigurt.

Duke e vlerësuar qëndrimin e Haradinajt të sigurt në Francë, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se ish-kryeministri është qytetar i lirë dhe nuk ka nevojë për ndonjë mbrojte të afërt. “…mendoj se Haradinaj është qytetar i lirë dhe nuk nevojë për ndonjë mbrojtje. Tash mendoj se është koha e fundit që Kosova duhet të sillet si shtet dhe të jetë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit, sepse tek e fundit e kanë obligim Kushtetues”, ka thënë Kadriaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë që ata ka thënë se sigurinë e nevojshme Ramush Haradinajt ia ofron shteti i Francës, për arsye se ai është në duar të tyre.

Në anën tjetër, deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se Franca duhet të kujdeset për Haradinajn, sepse ka përgjegjësi ndaj tij.

“Fatmirësisht kemi të bëjmë me një njeri që ‘ujku e kryen punët e vet sepse ka qafën e trashë’”.  Ramushi di të ruajë vetveten dhe të tjerët. Sa për shtetin tonë ne nuk jemi të sigurt as në Kosovë e lëre më në Francë. Franca nuk është një shtet si Kosova, së cilës i vdesin njerëzit në burgje. Por, mendoj se ka edhe forca që kujdesen sepse në fund të fundit ndaj Ramushit ka përgjegjësi shteti francez. Në këtë drejtim nuk duhet të na shkojë mendja që ai të jetë i rrezikuar”, ka deklaruar Berisha.

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj, nga Insitutit Kosovar i Drejtësisë, ka deklaruar se vetë lirimi i Haradinajt nga masa e paraburgimit dëshmon se siguria e Haradinajt gjatë qëndrimit në Francë nuk është e rrezikuar.

“Z. Haradinaj është subjekt i procedurave gjyqësore për ekstradim në Francë. Vetë fakti se gjykata në Francë i ka shqiptuar masën e sigurisë, e cila është paraqitje pranë autoriteteve në Francë dy herë në javë dhe moscaktimi i masës së paraburgimit dëshmon se siguria e z. Haradinaj nuk është e rrezikuar dhe se i njëjti do t’iu përgjigjet kërkesave të organeve gjyqësore në Francë”, ka thënë Miftaraj.

“Zëri” ka provuar që të marrë ndonjë informacion nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë, në lidhje me atë se kush po kujdeset për sigurinë e Ramush Haradinajt gjatë qëndrimit të tij nën masën ligjore në Francë, mirëpo, kontakti më zyrtarë të këtyre ministrive ka qenë i pamundur.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten është liruar me kusht nga Gjykata e Apelit në Colmar të Francës.

Në bazë të vendimit për lirim me kusht, Haradinaj detyrohet që mos ta lëshojë shtetin francez dhe të paraqitet në polici dy herë në javë deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje gjyqësore. Mirëpo, lirimi me kusht i Haradinajt nuk nënkupton edhe lirimin e tij nga kërkesa e Serbisë, të cilën e ka ushtruar nëpërmjet INTERPOL-it për kinse krime të supozuara të luftës.

Hardinaj ishte arrestuar me datën katër janar në aeroportin e Bernit, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i, më kërkesë të Serbisë, për krime të supozuara të luftës.