Haradinaj: Gjykata Speciale, për faj të qeverisjes Thaçi

Krijimi i një gjykate të dimensioneve ndërkombëtare është një humbje për Kosovën, është një regres, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lajme

18/04/2014 09:45

Njeriu që u është nënshtruar dy proceseve gjyqësore në Gjykatën e Hagës, nën akuza për krime të luftës, ka shtruar nevojën që sa më shpejt Kuvendi të marrë vendimin për krijimin e Gjykatës Speciale.

Në të dyja rastet i ishte konfirmuar pafajësia. Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një intervistë për “Kohën Ditore” ka shprehur pritjen se mekanizmi ndërkombëtar i drejtësisë do të hedhë poshtë edhe supozimet se UÇK-ja ka kryer krime lufte, të cilat janë të evidencuara në raportin e senatorit Dick Marty. 

Megjithëkëtë, vetë krijimi i këtij mekanizmi ka thënë se përbën humbje për Kosovën. Kjo humbje, sipas tij, ka ardhur nga keqqeverisja e kryeministrit Hashim Thaçi, të cilin e ka pandehur se nuk e ka forcuar sistemin e drejtësisë në vend.

Haradinaj ka vlerësuar se krijimi i Gjykatës tani është në interes të vendit, ngaqë ka konsideruar se çfarëdo shtyrje nuk i shkon për shtati as Kosovës dhe as imazhit të UÇK-së.

Kreu i AAK-së ka folur edhe për agjendën legjislative pas krijimit të Gjykatës. Ka shprehur bindjen se Kuvendi do të shpërndahet më pastaj dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ani se lidershipi nuk ka arritur ende pajtimin për datën e zgjedhjeve.

Ai ka treguar në \”Koha Ditore\” edhe arsyet pse nuk do të pranojë koalicion qeverisës as me PDK-në e as me LDK-në, si dhe për atë që kishte ndodhur në takimet me Thaçin, sapo që Haradinaj ishte kthyer nga Haga.