Haradinaj fajëson opozitën që i ka dhënë kaq shumë kohë Qeverisë

Ramush Haradinaj thotë se mungesa e përkrahjes së mocionit nga partitë opozitare i ka dhënë shumë kohë Qeverisë. Ndërsa, për Misionin EULEX, theskon se i mirëpret bisedimet që po ndodhin për ristrukturimin e EULEX’it.

Lajme

25/03/2014 14:56

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se mospërkrahja e mocionit nga ana e opozitës i ka dhënë kohë ekzekutivit që të manipulojë me qeverisjen dhe buxhetin e Kosovës.

Pas takimit me ambasadorin grek, Dimitris Moschopoulos, Haradinaj është shprehur se zgjedhjet duhet të mbahen me shkarkim të Qeverisë.

“Mbajtja e zgjedhjeve tani është kalkulim i subjekteve politike dhe më së shumti i Qeverisë të sotme. Është e dhimbshme që opozita e ka humbur mundësinë e mocionit në kohë”.

“Mund të ndodhë që mocioni të ndodhë në ditët që po vijnë, por është e dhimbshme që ka humbur kohë dhe që i ka dhënë kaq shumë kohë Qeverisë për të manipuluar, dhe manovruar me qeverisjen, me buxhetin me të gjitha ato që kanë ndodhur”.

“Ne kemi qenë të gatshëm për zgjedhjet më herët realisht kur do të ishte shumë më e fuqishme që me mocion për shkarkim të shkojmë në zgjedhje”.

“Na vjen  keq që koha është humbur dhe të gjitha këto mundësi për manovrim i janë lënë Qeverisë”.

“Mirë do të ishte që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt dhe në zgjedhje të shkohet me shkarkim të Qeverisë”.

Haradinaj ka folur edhe për misionin EULEX,mandati i të cilit skadon në muajin qershor.

Ai thotë se i mirëpret bisedimet që po ndodhin për prezencën e ardhshme të EULEX’it.

“ Ne do t’i japim përkrahje aranzhmaneve në mes të Kosovës dhe BE’së për një formë të EULEX’it në vend.

“Kuptohet interesimi ynë është që EULEX’i jo vetëm të kryej punë për Kosovën, por ta ndihmojë Kosovën që t’i kryej punët me sukses. Pra ekspertiza e tyre të mund t’i bartet institucioneve të vendit”, tha Ramush Haradinaj.